Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Joshua, në shtator mbron titujt kundër Povetkinit

Superylli britanik i peshës së rëndë në boksin profesionist, Anthony Joshua, do të mbrojë titujt e botës kundër rusit Alexander Povetkin më 22 shtator në stadiumin “Wembley” të Londrës.

Joshua 28-vjeçar unifikoi titujt në versionet WBA, IBF dhe WBO, pasi mposhti me vendim unanim pas 12 raundeve zelandezin Joseph Parker në Cardiff, në mars të këtij viti.

Joshua është i pamposhtur në 21 meçe në boks profesionist dhe 20 prej tyre i ka fituar me ndërprerje, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Ai përballë do të ketë rusin 38-vjeçar Povetkin, që ishte kampion i versionit WBA nga viti 2011 deri në vitin 2013.

Povetkin nokautoi britanikun David Price në parameç të Joshuas me Parkerin në Cardiff.

Rusi ka pësuar vetëm një humbje në boksin profesionist që kur debutoi në vitin 2005, duke u mposhtur me vendim unanim pas 12 raundeve në Moskë, në vitin 2013 nga ukrainasi Wladimir Klitschko. Ai ka 34 fitore, prej tyre 24 me nokaut.

Do të jetë një përballje mes dy ish-kampionëve olimpikë. Povetkin kishte fituar të artën në peshën super të rëndë në Lojërat Olimpike në Athinë në vitin 2004, ndërsa Joshua në ato në Londër në vitin 2012.

“Mezi po pres të ngjitem në ring. Më duket shumë kohë e gjatë jashtë ringut”, ka thënë Joshua, që do të kthehet në “Wembley” ku e mposhti në një përballje dramatike ukrainasin Klitschko me nokaut në raundin e 11-të në prill të vitit të kaluar. “Povetkin është një kundërshtar serioz, për të cilin do të përgatitem me përpikëri. Ai ka një karrierë mjaft të mirë dhe vetëm një budalla do të nënvlerësonte atë”.

Povetkin nokautoi britanikun Price me një të majtë të fuqishme në Cardiff, në raundin e pestë. Për kundërshtarin e tij të radhës ai ka thënë: “Anthony Joshua ka katër tituj të kampionit dhe unë i dua të gjithë”... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm