Sport

Jordania është më lart se Kosova në ranglistë, në Prishtinë luan miqësoren e 13-të këtë vit

Në fund të një cikli jo shumë të suksesshëm kualifikues, një miqësore me një përfaqësuese jo shumë të njohur në vend, nuk është joshëse për tifozët. Por në aspektin sportiv Jordania nuk është kundërshtare që duhet të nënvlerësohet.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë luan miqësore me Jordaninë, përfaqësuesen aziatike. Miqësorja luhet katër ditë para ndeshjes me Greqinë, që për Kosovën është e fundit e eliminatoreve për Botërorin 2023.

Synim për miqësoren ndaj Jordanisë mund të jetë ndërprerja e serisë negative prej tri humbjeve. Po ashtu, mund të shërbejë për të provuar ndonjë lojtar me më pak hapësirë në Përfaqësuese dhe për të kthyer në ritëm ndonjë tjetër që po ka telashe në nivel klubesh.

Nëse për bazë merret ranglista e FIFA-s, atëherë Jordania do të jetë kundërshtare më se e denjë për Kosovën.

Në ranglistë Jordania është e 90-ta, ndërsa Kosova e 113-ta. Pra, Jordania është 23 vende më lart se Kosova.

Jordania po ashtu është në seri prej tri fitoreve rresht. Më 7 shtator fitoi 2:1 ndaj Bahrejnit. Më 6 tetor e mposhti Malajzinë me shifrat 4:0, ndërsa 3:0 fitoi ndaj Uzbekistanit, më 12 tetor. Miqësorja me Kosovën dhe ajo me Bjellorusinë, që është më 16 nëntor, Jordanisë i shërbejnë për t’u përgatitur për Kupën Arabe që mbahet në dhjetor.

Në të vërtetë, Jordania ka pasur shumë miqësore këtë vit. Miqësorja në Prishtinë është e 13-ta këtë vit për të. Ka edhe tri ndeshje kualifikuese për Botërorin 2022.

Jordania nuk është kualifikuar ndonjëherë në Kupë të Botës, ndërsa në Kupën e Azisë është paraqitur katër herë. Në vitin 2004 dhe 2011 ka arritur deri në çerekfinale. Ka pasur suksese në kompeticione të ndryshme arabe.

Irakiani Adnan Hamad e udhëheq përfaqësuesen e Jordanisë, ndërsa lojtarët kryesisht janë të ligës vendore. Pra, nuk ka ndonjë emër të njohur në nivel ndërkombëtar të futbollit. Kapiten është 39-vjeçari Amer Shafi, që i ka plot 176 ndeshje për Jordaninë. Portieri është pjesë e skuadrës Al-Fayha në Arabinë Saudite.

Përfaqësuesja e Jordanisë tashmë ka udhëtuar për në Prishtinë dhe ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës. Janë grumbulluar 28 lojtarë.

“Ekipi nacional ka nisur stërvitjet teknike dhe fizike, në kryeqytet, Prishtinë, për ndeshjen miqësore ndaj Kosovës, që luhet më 10 nëntor. Trajneri Adnan Hamad ka udhëhequr stërvitjen e parë, që përfshinte disa ushtrime të lehta fizike, për të mobilizuar lojtarët pas udhëtimit për në Prishtinë”, ka njoftuar faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Jordanisë.