Tifozët e Wolverhamptonit, por edhe ata të skuadrave të tjera në Premier League nuk kanë pasur njohuri për “lucha libre” - maskën e mundjes meksikane përpara se Raul Jimenez të transferohej te Wolvesi. Festa e sulmuesit meksikan pas golit ndaj Watfordit në gjysmëfinale të FA Cup, ka bërë kuriozë tifozët anglezë.
Jimenez pas golit të shënuar vendosi në kokë maskën që ia kishte dhënë shoku i tij, mundësi i njohur nga Meksika Sin Cara. Kjo ka mjaftuar që tifozët e Wolverhamptonit të çmenden pas maskës, të cilën kanë filluar ta porosisin, në mënyrë që në ndeshjet e ekipit të shkojnë me to.
“Sinqerisht, pothuajse askush prej nesh nuk ka pasur njohuri për 'lucha libren' deri në momentin që Jimenez e shfaqi. Pas kësaj, personalisht kam kërkuar në internet dhe kam kuptuar se bëhet fjalë për një maskë që e përdorin në mundjen e Meksikës. Nuk jam i vetmi prej tifozëve që e kam porositur një të tillë”, thotë tifozi i Wolvesit, Singh Kang.
Jimenez 27-vjeçar ndihet krenar që ka arritur të promovojë kulturën meksikane në qytetin e Wolverhamptonit, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”. Ai insiston se do t'i inkurajojë të gjithë adhuruesit që të blejnë sa më shumë maska të tilla, në mënyrë që ta motivojnë për të shënuar gola në çdo ndeshje.
“Ndihem mirë dhe krenar që festa ime me maskë ka mobilizuar tifozët e ekipit në këtë mënyrë. Nëse ata paraqiten me maska në tribuna, unë do të jem edhe më i motivuar të shënoj gola, në mënyrë që të festojmë së bashku. Jam i nderuar që po mundem të promovoj kulturën e vendlindjes sime në këtë vend”, është shprehur Jimenez.
Ai thotë se si fëmijë gjithmonë ka adhuruar maskat e mundjes meksikane dhe për këtë arsye në çdo ekip që ka luajtur ka festuar në mënyrë të tillë. Jimenez pranon se si fëmijë ka ëndërruar të bëhej mundës, por që pesha e trupit ia ka pamundësuar këtë.
“Pasi nuk kam arritur të bëhem mundës, të paktën po festoj me maskë në ndeshjet e futbollit”, ka thënë Jimenez. “Gjithmonë mbaj maska të tilla me vete, pasi shokët e mi janë mundës të zotë në Meksikë dhe unë iu gëzohem sukseseve të tyre”.
Reprezentuesi meksikan është njëri prej futbollistëve më të adhuruar nga tifozët e Wolverhamptonit. Ai para fillimit të këtij edicioni është transferuar tek ekipi anglez nga Benfica për 38 milionë euro. Deri më tash ka shënuar 17 gola dhe ka bërë tetë asistime në 42 ndeshje. Ka kontratë me skuadrën e Wolverhamptonit deri në verën e vitit 2023. Jimenez prej verës së vitit 2014 bën karrierë në Evropë, pasi nga ekipi meksikan CF America ishte transferuar tek Atletico Madridi.
“Te Wolverhamptoni po ndihem shumë mirë dhe shpresoj ta ndihmoj sa më shumë ekipin për të arritur synimet. Tifozët më kanë pranuar si idhull të tyre dhe unë do të mundohem që të mos i zhgënjejë asnjëherë”, shtoi Jimenez, i cili ka edhe 69 ndeshje e 15 gola të shënuar me Përfaqësuesen e Meksikës.