Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Italia po buzëqesh sërish nën urdhrat e Roberto Mancinit

Pothuajse tre vjet pas momentit më të errët të futbollit italian, ekipi kombëtar i Italisë po buzëqesh përsëri. Lojtarët e Italisë bërtitën me kënaqësi ndërsa festuan në Sarajevë pasi siguruan një vend në “Final Four” të Ligës së Kombeve, pavarësisht se trajneri Robert Mancini u izolua në Romë pasi doli pozitiv në testin për koronavirus.

Një anëtar i stafit të tij mbajti një telefon hapur dhe përmes bisedës me video, Mancini përgëzoi lojtarët për fitoren 2:0 në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo u prit me brohoritje të mëdha nga lojtarët e entuziazmuar. Ishte kontrast me skenat në vitin 2017 kur lojtarët ranë përtokë në mosbesim pasi humbën ndaj Suedisë në plejof dhe dështuan të kualifikohen për kampionatin botëror “Rusia 2018”.

Gian Piero Ventura u shkarkua si trajner pas asaj ndeshjeje dhe Mancini e zëvendësoi atë disa muaj më vonë.

“Unë vetëm mund të falënderoj të gjithë djemtë dhe stafin”, tha Mancini në një intervistë televizive përmes internetit, pas ndeshjes. “Të gjithë lojtarët që ishin atje, por edhe ata në shtëpi, kanë kontribuar për të ardhur deri në këtë pikë. Jam tepër i lumtur. Gjatë dy vjetëve, ata kanë bërë një punë vërtet të madhe dhe kanë qenë fantastikë. Merita është e tyre”.

Mancini i ka kthyer gjërat tek Italia duke u përqendruar në taktikë dhe stilin e lojës. Sistemi i lojës ofensive të Italisë është në kontrast me futbollin që ekipi luajti gjatë mandatit të Venturas dhe madje kishte një komentator të mërkurën që me entuziazëm tha se “është si të shikosh Brazilin”.

“Meqenëse rrallë shohim njëri-tjetrin, ne punojmë vetëm në taktikë dhe teknikë kur stërvitemi dhe jo në palestër, sepse ata arrijnë në kamp nga klubet e tyre të përgatitur fizikisht”, zbuloi Mancini. “Gjërat po shkojnë mirë, por lojtarët duhet të përgëzohen për këtë, sepse nuk është e lehtë. Ne jemi duke u përpjekur të përqendrohemi në këtë stil të lojës, por nuk duhet të harrojmë se Italia ka fituar katër tituj të botës duke luajtur me një mënyrë tjetër. Por futbolli ka ndryshuar tani”.

Edhe Nga gëzimi në lot, bota tallet me italianët që iu gëzuan ndeshjes me Bosnjën Futboll 3 muaj më parë Nga gëzimi në lot, bota tallet me italianët që iu gëzuan ndeshjes me Bosnjën

Lojtarët e tij mendojnë se ai është shumë modest, veçanërisht pasi ai po merr më të mirën nga disa prej tyre që nuk arritën të shkëlqejnë nën urdhrat e Venturas. Lorenzo Insigne u bë një nga shembujt e dështimeve të Venturas kur sulmuesi i krahut te Napoli luajti në mënyrë të pashpjegueshme vetëm 15 minuta të plejofit me dy ndeshje, dhe tërësisht jashtë pozitës së tij. Insigne 29-vjeçar ishte një nga lojtarët më të mirë të Italisë kundër Bosnjës dhe është çudi se si nuk arriti që këtë paraqitje fantastike ta kurorëzojë me gol, ndonëse qëlloi shtyllën.

“Trajneri dëshiron që ne të luajmë futbollin tonë kudo që të shkojmë dhe ky është mentaliteti që ne kemi përqafuar me të vërtetë. Ai po na ndihmon të rritemi”, tha Insigne. “Këtu tek Italia i gjithë stafi po na vendos në gjendjen e duhur që secili lojtarë të nxjerrë më të mirën nga vetja. Ne jemi të përkushtuar ndaj kësaj, sepse duam ta rikthejmë Italinë në majën e futbollit, aty ku e meriton”.

Performanca e Italisë kundër Bosnjës - dhe kundër Polonisë e Estonisë javën e kaluar - ishte gjithnjë e më mbresëlënëse, duke pasur parasysh problemet që ka pasur gjatë javëve të fundit. Më shumë se 20 lojtarë nga skuadra e parë nuk ishin në dispozicion për shkak të virusit dhe dëmtimeve. Por gjatë gjithë kohës, Mancini si trajner ka kombinuar aftësitë e lojtarëve për të nxjerrë më të mirën prej tyre dhe tashmë duket se ka sjellë futbollistë të rinj që e kanë rinovuar ekipin me energji dhe entuziazëm të freskët. Kjo do të thotë që Mancini do të ketë zgjedhje të shumta për tre turnetë që vijnë brenda një periudhe prej 18 muajve. “Final Four” i Ligës së Kombeve do të zhvillohet në Itali në muajin tetor të vitit të ardhshëm, me ndeshjet që mund të zhvillohen në Milano dhe Torino. Krahas Italisë, në “Final Four” janë kualifikuar edhe Spanja, Belgjika e Franca. Ky turne do të vijë menjëherë pas “Euro 2020”, që është shtyrë për një vit shkaku i pandemisë dhe një vit para kampionatit botëror “Katari 2022”.