Trajneri i Millwallit, Gary Rowett, ka mbetur i impresionuar me paraqitjen e futbollistit shqiptar, Besart Topalloj, në fitoren 2:0 të martën, në miqësoren kundër Dartfordit.
21-vjeçari, i cili ishte pjesë e Kosovës U19, luajti 81 minuta para se të zëvendësohej nga Nana Boateng.
“Besi është diçka në mes të qendërmbrojtësit të majtë dhe krahut të majtë të mbrojtjes”, ka deklaruar Rowett për kanalin zyrtar të klubit.
“Ai shkon para në mënyra të ndryshme, lëviz dhe ecën para. Ajo që më bëri përshtypje është jo vetëm vendosmëria e tij, por edhe kualiteti me topin, herë pas here shfaqte më shumë se lojtarët seniorë. Është gjë e mirë ta shohësh këtë, sepse për këtë janë ndeshjet miqësore. Lojtarët dalin në fushë dhe shfaqin atë që posedojnë. Lojtarët tanë të rinj do të kenë rrugëtim të ndryshëm këtë sezon, por me synimin për të hyrë në ekipin e parë”, është shprehur trajneri Rowett.
Millwalli është skuadër e “Championshipit”, apo rangut të dytë të futbollit anglez.