Sport

“Ipponi” i hershëm i Kosovës ndaj Putinit

Xhudoja është sporti i preferuar i Vladimir Putinit, presidentit të Rusisë. Dhe pikërisht nga xhudoja, Putini mori goditjet e para të sportit, për shkak të luftës në Ukrainë. Më 27 shkurt, Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) vendosi të pezullojë statusin e Putinit si President i Nderit dhe Ambasador i IJF-së.

Vendimi i IJF-së, më 28 shkurt u pasua nga një vendim i Unionit Evropian të Xhudos. EJU-ja vendosi që Putinit t’ia marrë titullin e Presidentit të Nderit.

Putini vlerësohet përgjegjës për luftën në Ukrainë, që po dënohet thuajse nga e gjithë bota. Ndëshkimet për Rusinë në dy ditët e fundit janë të fuqishme sa i takon sportit. Edhe ndaj Putinit personalisht po ashtu.

Por një goditje të rëndë Putinit dhe politikës së tij në Rusi, xhudoja kosovare ia ka dhënë shumë kohë më parë.

Ishte 21 prilli i vitit 2016, kur falë xhudisteve kosovare flamuri i Kosovës u ngrit në mes të Rusisë. U intonua edhe himni i Kosovës. Garda ceremoniale e Rusisë u rreshtua në nderim të himnit dhe flamurit të Kosovës.

Rusia nuk e ka njohur dhe vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës. Por ishte e detyruar të nderonte himnin dhe flamurin e Kosovës për shkak të një suksesi sportiv.

Në prillin e vitit 2016, në Kazan të Rusisë ishte mbajtur Kampionati Evropian i Xhudos. Në ditën e parë të garave shkëlqeu Majlinda Kelmendi, që tashmë i ka dhënë fund karrierës si xhudiste. Ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe mundësoi një prej skenave më të mëdha në histori të sportit kosovar, nëse jo më të madhen.

Prania e Gardës ruse e bëri më të madhërishëm atë moment. Pikërisht ushtarët rusë e vendosën në shtizë flamurin e Kosovës. Ata e përcillnin me shikim flamurin me gjashtë yje teksa ai ngrihej lart, më lart se flamujt e Francës, Rusisë e Rumanisë. Me një lëvizje tipike ushtarake, pjesëtarët e Gardës ceremoniale ruse ua kthyen shpinën flamujve. Ata e bënë lëvizjen për të nderuar atë që mundësonte pamjen që mbetet në histori – Majlindën.

Derisa himni i Kosovës po intonohej, ushtarët rusë vendosën dorën në anën e djathtë të ballit. Qëndruan “të ngrirë” derisa përfundoi himni. Disa metra para ushtarëve rusë qëndronte Majlinda. Natyrisht në shkallën më të lartë të podiumit.

Për Majlindën ishte vetëm medalja e radhës në ngjarjet e mëdha. Por gjithsesi një që do të kujtohet gjatë dhe që ofron momente krenarie në periudha të ndjeshme.

Me medalje me shkëlqim ari në gjoks, me buqetë lulesh në dorë dhe me një dhuratë të organizatorit në dorën tjetër, Majlinda qetë dhe krenare e përcillte ceremoninë, që vazhdon të vlerësohet fitore e madhe politike për shtetin e Kosovës dhe për gjithë shqiptarët.

Vetëm nga fundi i ceremonisë Majlinda lëshoi një buzëqeshje të lehtë. Ajo po bënte të mundur që shteti i fuqishëm, që tani ka nisur luftën në Ukrainë, t’i nderonte himnin dhe flamurin e Kosovës.

Image

Ka pasur angazhim të jashtëzakonshëm të drejtuesve të xhudos kosovare për të siguruar prezantim të barabartë në atë Evropian në Kazan, të njohur ndryshe si kryeqyteti sportiv i Rusisë. Rusët insistonin që delegacioni i Kosovës të paraqitej me akronimin IJF. Por më i madh ishte insistimi i drejtuesve kosovarë për prezantim të barabartë, me emrin Kosova. Në fund rusët lëshuan pe, ndërsa dorë në këtë vendim kishte edhe vetë Putini.

Ndodhi pikërisht ajo për të cilën kishin drojë rusët. Kosova siguroi medalje të artë dhe kështu edhe shfaqjen e flamurit dhe intonimin e himnit të saj. Më pas medalje fitoi edhe Nora Gjakova, që gjithashtu mundësoi ngritjen lart të flamurit të Kosovës.

“Thikë pas shpine nga vëllezërit rusë”, ishte një prej titujve të shkrimeve të shumta në mediat serbe, pas asaj skene historike.

Për shkak të ndikimit të madh që kanë rusët në xhudo, IJF-ja dhe EJU-ja ishin sfiduar seriozisht me atë rast. Por pajtueshmëria e Putinit ndryshoi situatën.

Dy asociacionet ndërkombëtare të xhudos kanë pasur partneritet të fuqishëm me shtetin rus dhe me Putinin. Rusia është forcë e xhudos, por IJF e EJU janë detyruar të marrin masa ndaj Putinit për shkak të presionit të madh ndërkombëtar.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, që në nismë të luftës doli në përkrahje publike për Ukrainën dhe për xhudistët e këtij vendi. Kampionia botërore e xhudos nga Ukraina, Daria Bilodid, është shumë aktive në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për luftën në Rusi.

Në fakt, Putini ka pasur ndikim të madh në shumë federata sportive ndërkombëtare, kryesisht për shkak të financimit që kompanitë e mëdha ruse u kanë bërë atyre.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar të hënën bëri thirrje që sportistët e Rusisë dhe të Bjellorusisë të largohen nga garat ndërkombëtare. Dhe rekomandimit të IOC-së po i përmbahen shumica e federatave.

Pos që rusëve po iu ndalohet pjesëmarrja në gara ndërkombëtare, Putinit po i hiqen titujt e shumtë të nderit. IOC-ja ia ka anuluar Putinit çmimin më të madh të lëvizjes olimpike – Urdhrin Olimpik. Federata Ndërkombëtare e Taekwondos ia mori Putinit “rripin e zi të nderit” për shkak të luftës në Ukrainë. Të martën reagoi edhe Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA), që anuloi urdhrin që ia kishte ndarë Putinit.

Kosovarët nuk kanë çka t’i anulojnë Putinit dhe Rusisë. Nuk i kanë bërë ndonjë nderim, natyrisht. Por mund të mburren që ndaj Putinit dhe Rusisë kanë realizuar “Ippon” të jashtëzakonshëm.