Sport

IJF-ja nominon Majlindën për “kampione” të ciklit 2012-2016

Majlinda Kelmendi mund të kthehet me dy trofe nga Budapesti i Hungarisë, ku në fund të gushtit do të paraqitet në kampionatin botëror të xhudos.

Ajo vlerësohet favorite për të fituar titullin e botës në kategorinë deri 52 kilogramë, ndërsa mund të fitojë edhe një titull tjetër të vlefshëm, por të një natyre tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) për herë të parë do të shpërblejë xhudistin dhe xhudisten më të mirë të një cikli olimpik, përkatësisht të periudhës prej vitit 2012 deri në vitin 2016. Majlinda është në mesin e të nominuarave për këtë çmim. Ftesa për pjesëmarrje në ceremoninë që do të mbahet më 27 gusht tashmë i ka ardhur nga presidenti i IJF-së, Marius Vizer.

"Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka kënaqësi t'iu ftojë për galan e 65-vjetorit të IJF-së, që do të mbahet më 27 gusht 2017 në Budapest të Hungarisë, ku ne do të shpërblejmë xhudistët më të mirë për periudhën 2012-2016. Ju jeni në mesin e të nominuarve", thuhet në letrën që Vizer ia ka dërguar kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.