Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hughes, atleti më i shpejtë i Britanisë

Atleti Zharnel Hughes e ka thyer rekordin e Britanisë së Madhe në vrapim 100 metra, që e mbante Linford Christie.

Rekordi britanik kishte qëndruar për 30 vjet. Hughes në New York shtegun e 100 metrave e vrapoi për 9.83 sekonda. Rekordi paraprak britanik ishte 9.87 sekonda të cilin Christie e kishte vendosur në Kampionatin Botëror në vitin 1993.

27-vjeçari Hughes, arriti kohën më të shpejtë në botë këtë vit dhe të dytën më të shpejtë ndonjëherë nga ndonjë atlet evropian.

Vetëm italiani Marcell Jacobs, që vrapoi për 9.80 sekonda kur e fitoi medaljen e artë Olimpike në Tokio 2020, ka vrapuar më shpejtë. Në vitin e kaluar, Hughes fitoi medalje të artë në Evropian në 200 metra vrapim dhe të argjendtë në 100 metra. Në garën e fundit në New York ai ishte më i shpejtë se xhamajkasi Ackeem Blake, që vrapoi 9.93 sekonda.