Sport

Hoxha la Belgjikën për të vazhduar karrierën në Kosovë

Mesfushori ofensiv, Medjon Hoxha, pritet të jetë “armë” shtesë e Feronikelit në repartin e sulmit gjatë pjesës së dytë të këtij edicioni në Superligën e Kosovës.

Hoxha është njëri prej përforcimeve te kampioni në fuqi, që i ka bërë gjatë afatit kalimtar të janarit. Në fakt, Hoxha te Feronikeli është prezantuar më datën 29 dhjetor pak para se të niste afati. Hoxha gjatë tërë këtij muaji ka qenë te Feronikeli dhe pasi ka impresionuar me aftësitë e tij, menjëherë i është ofruar kontrata.

“Ai ishte me klubin gjatë muajit dhjetor dhe kreativiteti i tij i la shumë përshtypje kryetrajnerit Agim Sopi”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Feronikelit për mesfushorin Hoxha, shkruan sot Koha Ditore.

Hoxha, i njohur për kreativitetin në lojë, ka firmosur kontratën e parë profesioniste me skuadrën elitare të Belgjikës, Kortrijk, gjatë muajit prill të vitit 2017. Me ekipin e parë ka katër paraqitje dhe një gol të shënuar.

“Pozita ime nuk është vetëm mesfushor ofensiv, pasi mund të përshtatem edhe si mesfushor defensiv, pra t’u përgjigjem kërkesave dhe strategjisë së trajnerit. Jam mesfushor qendror që mund të mbuloj hapësirë të madhe si prapa sulmuesve ashtu edhe përpara mbrojtësve”, u shpreh Hoxha, i cili ka firmosur kontratë me Feronikelin deri në fund të këtij edicioni. “Edhe pse kam kontratë deri në fund të sezonit, gjasat janë shumë të mëdha që te Feronikeli të mbetem edhe më gjatë”.

Hoxha, 20-vjeçar, ka synime të mëdha me fanellën e skuadrës nga Drenasi. Ai po shpreson që këtë edicion ta mbyllë me dy trofe dhe kualifikim në garat evropiane. Feronikeli edicionin e shkuar fitoi titullin dhe kupën e Kosovës, si dhe u paraqit në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Evropës.

“Personalisht pres që të tregoj paraqitje sa më të mira në fushë, duke e ndihmuar ekipin që është edhe primare për mua. Mendoj që kemi ekip shumë të mirë dhe krahas titullit besoj edhe në plasmanin në Evropë. Për këtë edhe kam ardhur te Feronikeli”, ka shtuar Hoxha.

Hoxha është i lindur në qytetin Hemer të Gjermanisë, ku kishin emigruar prindërit e tij gjatë luftës në Kosovë. Por, pas një viti, ai menjëherë është zhvendosur në Belgjikë, ku edhe është rritur. E ëma e tij është nga Prishtina, kurse babai nga Peja.

Zhvillimi si futbollist në Belgjikë

Hoxha gjithmonë ka qenë i pasionuar pas futbollit dhe si fëmijë ka ëndërruar që një ditë të arrijë në nivelin profesionist. Ai si lojtar është zhvilluar nëpër gjeneratat e reja të skuadrës së Kortrijkut. Hoxha i është bashkuar akademisë së Kortrijkut në moshën gjashtëvjeçare dhe pas më shumë se një dekade arriti në ekipin e parë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)