Sport

Hoti në elitën skoceze për hapin e madh drejt Kosovës

Florent Hoti do të përfshihet në ekip nga trajneri i Dundee Unitedit, Micky Mellon, për ndeshjen kampionale kundër Rangersit, që luhet të shtunën në kuadër të kampionatit të Skocisë.

Hoti 19-vjeçar është përforcimi i ri i Dundee Unitedit. Ai shpreson të aktivizohet menjëherë kundër Rangersit, ekip i madh nga Skocia, që drejtohet nga ish-mesfushori i Anglisë, Steven Gerrard.

Nëse i jepet rasti në këtë ndeshje të xhiros së shtatë, Hoti do të bëjë të pamundurën për t’i dëshmuar Dundee Unitedit se nuk ka gabuar që i ofroi kontratë.

Hoti me ekipin skocez ka firmosur kontratë dyvjeçare pasi ka kaluar me sukses provat gjatë dy javëve, ndërsa synimet e tij janë të mëdha. Ai pret që të zhvillohet edhe më shumë si lojtar në mënyrë që në një të ardhme të afërt të transferohet në një ligë dhe ekip më të fortë.

“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar që gjatë dy vjetëve do të jem pjesë e Dundee Unitedit, një ekip që ka emër në futbollin e Skocisë. Ndërsa, për të shtunën jam përfshirë në ekip për ndeshjen me Rangersin, në të cilën shpresoj të kem minutazhë. Nëse do të luaj, kjo do të jetë edhe ndeshja ime e parë zyrtare me Dundee Unitedin”, ka thënë Hoti për KOHËN të enjten.

“Kam qenë për dy javë në prova dhe trajneri më ka thënë se ka besim të madh në mua. Kështu që kur më ofruan kontratën nuk hezitova, sepse synimi im ka qenë që të luaj në një kampionat elitar. Te Dundee pres të përmirësohem edhe më shumë, kurse në të ardhmen shpresoj që të siguroj një transferim në një ligë dhe ekip më të madh”.

Hoti ka qenë pjesë e ekipit Rochdale që bën gara në kategorinë e tretë të Anglisë (League One). Ai është zhvilluar si lojtar te Rochdale ku i ka kaluar të gjitha kategoritë dhe ka arritur tek ekipi i parë. Dy edicione më parë i luajti dy ndeshje për të rriturit. Së fundi ka luajtur për ekipin U-18 të Rochdales.

Hoti ka lindur në qytetin e Manchesterit, kurse familja e tij gjatë luftës në Kosovë ka migruar nga Lipjani drejt Anglisë.

“Prej moshës dhjetëvjeçare kam filluar me futboll te Rochdale, ku i kam kaluar të gjitha gjeneratat. Madje, kam luajtur edhe për ekipin e parë, por nuk kam dashur ta firmos kontratën, sepse kam qenë i bindur se mund të luaj në nivel më të lartë”, ka thënë Hoti, që ka shtuar se nuk i kanë munguar ofertat tjera, por kur është shfaqur mundësia për të dëshmuar veten te Dundee nuk ka dashur të lëshojë. “Shpresoj që te Dundee të kem minutazhë të mjaftueshme dhe për këtë do të punoj shumë. Trajneri më ka thënë që ka besim të madh në mua dhe më mbetet vetëm ta dëshmoj këtë si në stërvitje ashtu edhe në lojë kur të më jepet mundësia”.

Përvojën nga Dundee Unitedi, Hoti pret që muajin tjetër ta bartë te Përfaqësuesja U-21 e Kosovës. Ai thotë se tashmë ka pasur një bisedë në lidhje me grumbullimin te Kosova. Beson se nëse ka minutazhë te Dundee gjatë këtij muaji në kampionat, atëherë nuk do të mungojë ftesa. Kosova U-21 muajin e ardhshëm e pret Andorrën në kuadër të eliminatoreve për Evropian.

“Unë jam i gatshëm për Kosovën. Edhe pse kam lindur në Angli, veten e ndiej kosovar. Sa i përket pasaportës kosovare, unë tashmë e kam atë dhe vetëm po pres ftesën. Shpresoj që gjatë kësaj kohe te Dundee të kem paraqitje të mira”, ka thënë Hoti, që brenda një kohe të shkurtër ka synime për të qenë edhe pjesë e Përfaqësueses A.

“Natyrisht që synimi im është të luaj për ekipin e parë të Kosovës. Çdo ndeshje të Kosovës e përcjelli në televizor dhe jam i gatshëm kurdo që të ftohem”.

Për të realizuar ëndrrën, futbollisti i ri fillimisht duhet të luajë në kampionatin skocez dhe të shquhet me paraqitje. Ka një rrugë të tërë para.