Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hokeji “në qiell”

Në 3.350 metra lartësi mbidetare, një grup prej 30 femrave janë shpërndarë dhe po punojnë rreth një piste të akullt në ambient të hapur. Të pajisura me fshesa, lopata dhe degë të vogla e po ashtu edhe me shkopinj të hokejit, ato pastrojnë sipërfaqen në pistë pas borës që ra një natë më parë. 

Disa rrjeta të gjelbra sipër kanë për qëllim të parandalojnë që dielli të shkrijë akullin. Me t’u pastruar, ishte koha për përfaqësuesen e femrave të Indisë në hokej në akull, të fillojnë atë që lojtaret e quajnë “kamp”. 

Për 15 ditë, 20 lojtare të përfaqësueses dhe 10 shpresa janë stërvitur në Leh, një qytet i vogël në Himalaje me rreth 31 mijë banorë në pjesën më veriore të Indisë. Ato po përgatiten për turneun Challenge Cup të Azisë, që do të mbahet pas disa ditëve, shkruan sot Koha Ditore.

Ëndrra e tyre është të luajnë në Lojërat Olimpike, por kjo është ende e largët. Gara Challenge Cup, e vetmja ndërkombëtare në të cilën skuadra është regjistruar u përket shteteve të divizionit më të ulët të Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në akull. 

Këtë vit India u është bashkuar Filipineve, Kuvajtit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në këtë divizion. Sipas federatës, janë 311 lojtare të hokejit në akull në Indi, në vendin e dytë më të madh për nga numri i popullsisë, që ka vetëm pesë arena të hokejit në akull në ambient të mbyllur dhe ka një kulturë sportive të dominuar nga kriketi dhe hokeji në bar. 

“Edhe familjet tona na thonë, ‘Çfarë po bëni’? Siguroni një punë”, thotë Diskit Angmo 22-vjeçare. “Nganjëherë frustrohem dhe e pyes veten se çfarë po bëj. Por, më pas më kaplon pasioni për lojën”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm