Ani se shumica e anëtareve të ish-skuadrës kombëtare afgane të xhudos për femra janë larguar nga vendi pas rimarrjes së kontrollit mbi Afganistanin nga talebanët në gushtin e 2021-s, disa syresh nuk u binden ligjeve drakoniane dhe mblidhen në vende private për t’u stërvitur nga distanca me Hazratin. E tek e bëjnë këtë kujdesen që të qëndrojnë larg dritareve teksa mblidhen në grupe jo më të mëdha se gjashtë veta, për të mos ngjallur dyshime
Qudsia Khalili e hedh hapin e parë në tapetin e xhudos dhe e fillon ballafaqimin me partneren e saj të stërvitjes, në një qendër trajnimi për artet marciale në lagjen “Haugerud” të kryeqytetit norvegjez, Oslo.
Partnerja e saj, një grua norvegjeze me pamje të sertë, me gërsheta të lidhura fort, e kap afganen e re për jakën e judogit të saj të kaltër - uniforma tradicionale e sportit - dhe menjëherë ia humb ekuilibrin.
Khalili rrëzohet nga një goditje e jashtëzakonshme. Jehona e përplasjes së saj përtokë përhapet në të gjithë sallën e stërvitjes me ndriçim të dobët.
Pjesëtarët e ekipit kombëtar norvegjez të xhudos, të cilët stërviten në po të njëjtën sallë, e shikojnë të shqetësuar porse Khalili ngrihet në këmbë, ngrefoset e vazhdon nga e para.
Ani se në natyrë është e rezervuar dhe e butë, 22-vjeçarja përnjëherë shndërrohet në një forcë të frikshme luftarake kur shkel në tapetin e xhudos.
E derisa Khalili dhe kundërshtarja e saj ndeshen, në cepin tjetër të sallës një telefon qëndron i mbështetur për një shtyllë, duke transmetuar seancën stërvitore nëpërmjet aplikacionit të komunikimit, WhatsApp.
Farhad Hazrati, i cili ishte trajner i ekipit të xhudisteve të Afganistanit përpara se regjimi taleban ta ndalonte këtë sport luftarak më 2021, e merr telefonin dhe buzëqesh para ekranit në anën tjetër të të cilit shfaqen tri gra që e ndjekin me zell seancën stërvitore. Ato janë pjesë e një seance trajnimi, në të cilën gratë afgane, të fshehura nëpër komplekse banore, i mësojnë teknikat e sportit nga trajneri i tyre i zhdërvjellët dhe i ndërgjegjshëm që tashmë ndodhet një botë larg tyre.
Sporti i ndaluar për gratë
Që kur e rimorën pushtetin në gushtin e 2021-s, autoritetet talebane ua kanë ndaluar vajzave dhe grave në Afganistan që të ndjekin shkollimin e mesme dhe atë universitar, ua kanë ndaluar daljen nëpër parqe, shfrytëzimin e palestrave dhe banjave publike, si dhe të gjitha sportet.
Ani se shumica e anëtareve të ish-skuadrës kombëtare të xhudos për femra u larguan pas kësaj, disa syresh nuk u binden ligjeve drakoniane dhe mblidhen në vende private për t’u stërvitur nga distanca me Hazratin.
E tek e bëjnë këtë kujdesen që të qëndrojnë larg dritareve teksa mblidhen në grupe jo më të mëdha se gjashtë veta, për të mos ngjallur dyshime.
Mes tyre është një grua që në sportin e xhudos është stërvitur për 15 vjet rresht. Ajo thotë se ende ëndërron që një ditë të bëhet kampione bote.
“Vajza të ndryshme që stërviten kështu kanë motivime të ndryshme. Disa stërviten për të përmirësuar shëndetin e tyre mendor, të tjera për të krijuar miqësi me gra të tjera”, shprehet ajo në grupin e krijuar në WhatsApp. “Talebanët i kufizojnë përherë e më shumë gratë. Kjo e bën shumë të vështirë arritjen e qëllimeve tona”, shton ajo e zemëruar. “Unë mendoj se të gjitha gratë afgane e ndiejnë se është shumë e vështirë. Shumë qanë herën e parë kur nuk u lejuan të studionin. Ishte një ditë e vështirë për to. Është e vështirë të jetosh pa të ardhme”.
Me gjithë rreziqet, ajo thotë se trajnimi në xhudo e ndihmon që të ruajë ndjenjën e pavarësisë dhe të kontrollit mbi të ardhmen e saj. “Sa herë që ka stërvitje, ndiej se ka njëfarë shprese”.
Ikja nga Kabuli
Khalili, njëra nga sportistet më premtuese të xhudos në Afganistan, mbërriti në Norvegji pak më shumë se gjysmë viti më parë. Ishte larguar nga vendi i saj i lindjes, pasi që talebanët e morën në duart e tyre kryeqytetin Kabul që pas të tërheqjes së forcave amerikane në gusht të 2021-s.
Shkaku që ishte fytyrë publike e ekipit të xhudisteve, Khalili pati tërhequr vëmendjen e talebanëve. Ata i kishin dërguar gjashtë burra të armatosur në shtëpinë e saj, vetëm disa ditë pasi e morën kontrollin e vendit.
Fatmirësisht, babai i saj mundi t'i bindte se ajo nuk ndodhej në shtëpi. E pasi ata u larguan, ajo mblodhi menjëherë gjërat e saj, mbuloi fytyrën me hixhab për të mos e njohur dhe iku në errësirën e natës. Përfundoi e zhytur deri në gjunjë në një kanal midis murit të jashtëm të Aeroportit të Kabulit, teksa po mundohej ta tërhiqte vëmendjen e ushtarëve ndërkombëtarë që po e ruanin perimetrin.
E rraskapitur dhe e dëshpëruar, hoqi dorë pas tri ditësh. E tek largohej nga skenat kaotike, një burrë hodhi veten në erë pranë hyrjes së aeroportit. I kujton ende copat e trupit të tij që fluturonin nëpër ajër.
Por në fund, Khalili mbërriti në Uzbekistanin fqinj nëpërmjet një rrjeti të Federatës Norvegjeze të Xhudos. Aty u trajtua nga një infeksion që dyshon se e kishte marrë nga qëndrimi në ujin e ndotur të kanalit.
Në Tashkent ajo u takua me Hazratin që po ashtu e pati kaluar kufirin nëpërmjet një rrjeti mbështetës klandestin, të lidhur me komunitetin ndërkombëtar të xhudos.
Në kryeqytetin e zhurmshëm të shtetit të Azisë Qendrore, Khalili dhe Hazrati planifikuan të zhvendoseshin në Norvegji për t'u takuar me ish-instruktorët e tyre, të cilët po i prisnin me padurim që t’iu ndihmonin për çështjet e tyre të azilit.
I kaluan shtatë muaj në Tashkent dhe tetë të tjerë në Stamboll të Turqisë.
Në secilin qytet u mirëpritën krahëhapur në komunitetin e mirënjohur të xhudos.
Khalili sapo është zhvendosur në një apartament të ri të pamobiluar, i cili i është ofruar nga Qeveria norvegjeze dhe po i kalon ditët duke u stërvitur intensivisht derisa kërkon të rifitojë forcën e saj pas një sprove të gjatë dhe të mundimshme. Është e emocionuar për transferimin në apartament, por duket e trishtuar sa herë që e pyesin nëse mendon ndonjëherë për rrethanat me të cilat përballen ende shoqet e saj të vjetra të skuadrës në Afganistan.
“Sigurisht... e mendoj gjatë gjithë kohës. Është një situatë e tmerrshme për to”, thotë ajo tek e tund kokën.
“Të respektosh kundërshtarin tënd”
Hazrati, i cili tani jeton në një qendër refugjatësh në veri të Oslos, i është mirënjohës komunitetit të xhudos për ndihmën që i ofruan atij dhe Khalilit.
Gjatë një gostie me ushqim afgan të përgatitur nga Khalili në banesën e saj, ai nxjerr telefonin për të treguar një fotografi të turbullt të disa burrave me pajisje luftarake që mbajnë pushkë automatike teksa qëndrojnë në një palestër në Kabul. Fotografia është bërë fshehurazi nga shoku i tij, i cili ka thënë se ishin një grup luftëtarësh talebanë që kishin ardhur për ta kërkuar.
Xhudoja nuk e ka ndihmuar vetëm atë dhe Khalilin që të gjejnë forcën mendore dhe atë fizike për t'u rikuperuar nga sprova e tyre; sporti u ka mundësuar edhe që të bëjnë miq në shtëpinë e tyre të re.
“Nuk e flas ende norvegjishten, por kur jam në stërvitje, të gjithë e kuptojmë gjuhën e xhudos”, thotë ai.
Arti marcial, i cili e ka origjinën nga Japonia dhe e ka kuptimin e “mënyrës së lehtë”, “të mëson të respektosh kundërshtarin tënd”, shpjegon Hazrati, duke shtuar se i thyen edhe barrierat midis njerëzve.
“Në xhudo mund të shihni mjekë, inxhinierë, shitës dhe mekanikë makinash që komunikojnë në të njëjtin nivel”, thotë ai. “Në sport ne themi se kur lani rrobat tuaja të xhudos, i lani për partnerin tuaj, jo për veten tuaj. Ka të bëjë me respektin ndaj të tjerëve”.
Kjo ndjenjë i lejoi që të dy që të stërviteshin në çdo klub xhudoje në Tashkent, Stamboll dhe Oslo, sado të dëshpëruar që ndiheshin asokohe.
“Xhudoja me të vërtetë na shpëtoi”, thotë ai me vendosmëri.
Si Khalili ashtu edhe Hazrati aktualisht po i ribashkojnë dalëngadalë pjesët e thyera të jetës së tyre, derisa stërmundohen në proceset e gjata burokratike të regjistrimit në Norvegji.
E për trajnerin afgan, mësimi është që t’i qasesh jetës me të njëjtën filozofi që i është mësuar në xhudo. “Nëse nuk do të bëhesh kurrë kampion, në rregull është”, thotë ai, “kryesorja është që të jesh më i mirë sesa që ishe dje”.
Përktheu: Forca Jashari