Sport

Heshtja e lidhjeve rajonale shton paqartësinë në FFK

Foto: Koha

Në fillim të korrikut, faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës ishte mbushur me njoftime për përkrahjen që po merrte Agim Ademi. Përkrahja për kryetarin e FFK-së po vinte nga të gjitha anët, para së gjithash nga Lidhjet Rajonale të Futbollit, që janë anëtare të FFK-së (klubet janë anëtare të FFK-së, por të regjistruara zyrtarisht në njërën nga shtatë lidhjet rajonale).

Më 5 korrik Ademi ishte dënuar me nëntë muaj burgim efektiv për një rast që nuk ka të bëjë me futbollin. Dhe po më 5 korrik, në mbrëmje, sipas njoftimeve kishte nisur përkrahja për Ademin. Fillimisht përkrahje atij i ka ofruar Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e menjëherë më 6 korrik Lidhjet Rajonale të Pejës, Gjilanit, Prishtinës, Ferizajt, Prizrenit, Mitrovicës e Gjakovës. Në pafajësinë e Ademit besonte edhe grupi i tifozëve të Kosovës, “Dardanët”, që po ashtu bëri një deklaratë përmes faqes zyrtare të Federatës. Liga e Veteranëve, po ashtu, ofroi përkrahje për kryetarin e Federatës sportive më të madhe në vend, shkruan sot Koha Ditore.

Javën e kaluar vetë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së njoftoi që po bëhej fushatë për ta larguar Ademin nga posti i kryetarit të FFK-së. Të hënën zëvendëssekretari i përgjithshëm i FFK-së, Arianit Ahmeti, konfirmoi kandidaturën e tij për kryetar, ndërsa pretendoi se ka përkrahjen e shumicës së delegatëve të FFK-së. Është në dorë të delegatëve që të thirret Kuvendi i FFK-së e po ashtu që të bëhet ndryshimi eventual në postin e kryetarit.

Pas zhvillimeve të fundit, nuk ka pasur njoftime në sajtin e Federatës për përkrahje ndaj kryetarit Ademi. Klubi Dukagjini doli në përkrahje publike për Ademin, ndërsa FFK-ja publikoi vetëm një letër përkrahëse për Ademin dhe udhëheqjen aktuale, të përfaqësueseve të FFK-së për Gjermani që në fakt nuk kanë ndonjë ndikim të madh në zhvillimet e brendshme në futbollin kosovar.

Përkrahja e Lidhjeve Rajonale ishte kartë e Ademit edhe kur erdhi në krye të FFK-së, përkatësisht kur u thirr Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor pas vdekjes së ish-presidentit Fadil Vokrri, në qershor të vitit 2018. Por këtë herë, të paktën deri të martën mbrëma, nuk është publikuar ndonjë njoftim për përkrahje ndaj Ademit nga Lidhjet Rajonale. Ato kanë zgjedhur të paktën të mos deklarohen, nëse eventualisht nuk janë rreshtuar pas grupit tjetër, atij që pretendon të marrë drejtimin e FFK-së.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)