Hendbollistët e rinj të Istogut të shtunën kanë dëgjuar me vëmendje këshillat që u janë dhënë. Ata janë në fillim të karrierës dhe këshillat e dikujt me përvojë në hendboll u kryejnë shumë punë.
Ndeshjen e kanë humbur, por hapa tutje në zhvillimin e tyre kanë bërë. Kështu vlerëson edhe Esma Muratoviq, aktualisht hendbollistja më e mirë në Kosovë. Muratoviq, që është nga Mali i Zi, vjet u shpall hendbollistja më e mirë në Kosovë, ndërsa është kthyer te KHF Istogu për edicionin 2020/2021, pasi në gjashtë muajt e parë të vitit ishte në Spanjë.
Muratoviq, të shtunën kishte edhe një detyrë. Asaj iu besua drejtimi i ekipit të hendbollistëve të Istogut. Pra, ishte trajnere e KH Istogut në ndeshjen ndaj Dritës, që përfundoi me fitoren e ekipit gjilanas me shifrat 56:25.
Esma Muratoviq ka udhëhequr djelmoshat e Istogut edhe në disa stërvitje, ndërsa ka gjasë të drejtojë ata edhe në ndonjë ndeshje tjetër. Istogu këtë vit është kthyer në gara pas një kohe të gjatë. Është formuar një skuadër e re, kryesisht me nxënës të shkollave të mesme. Trajneri i Istogut, Malush Kabashi, është infektuar me COVID-19 dhe në vend të tij ekipin të shtunën e drejtoi Muratoviq. Angazhimi i lojtarëve ishte në nivel. Kërkesat e Esmës janë respektuar, aq sa kanë potencial aktualisht këta lojtarë.
“Po e udhëheq ekipin e meshkujve, pasi trajneri i tij është me COVID-19. Është përvojë e mirë për mua, pasi deri më tani nuk jam testuar si trajnere. E shoh veten se në të ardhmen mund të udhëheq ndonjë ekipi. Të jesh trajner është punë me angazhim. Nuk mund të përgjigjem nëse është më lehtë të jesh lojtare apo trajnere”, ka thënë Muratoviq për KOHËN.
24-vjeçarja është e lindur në Podgoricë, ndërsa në të kaluarën ka luajtur për Malin e Zi. Ndër të tjera, ishte edhe në Lojërat Mesdhetare. Javë më parë ishte përfshirë në ekipin e zgjeruar të Malit të Zi për Evropian, por nuk u përzgjodh.
Në katër ndeshje të Kupës Evropiane, ka realizuar plot 47 gola për Istogun. Është lidere e skuadrës. Në raundin e dytë Istogu eliminoi Vushtrrinë me rezultat 57:45 pas dy ndeshjeve. Në raundin e tretë, Istogu fitoi ndeshjen e parë ndaj Victoria-Berestie të Bjellorusisë me 33:30. Por në ndeshjen e dytë, që ishte dramatike, Istogu pësoi 32:28. Kështu Berestie kaloi tutje. Në ndeshjen e dytë Muratoviq shënoi 12 gola, por humbi penallti vendimtare.
Te Istogu presin që Esma t’i udhëheqë drejt titullit të kampionit, si dy edicione më parë. Ndërkohë ajo po angazhohet në punë shtesë – si trajnere e ekipit të hendbollistëve.

“Bëhet fjalë për djem shumë të rinj. Me ta duhet të kemi durim. Por kanë shumë vullnet dhe dëshirë për të mësuar. Duan të mësojnë shumë gjëra për hendbollin”, ka shtuar Muratoviq.
Ajo së bashku me kapitenen e Istogut, Albina Rugova, do të punojnë si trajnere në Akademinë e hendbollit që Istogu do ta hapë javën e ardhshme. Këtë e ka bërë të ditur trajneri i KHF Istogu, Faruk Shala.
“Unë jam dora e djathtë e trajnerit Shala. Kemi raporte shumë të mira. Ai punon shumë në promovimin e hendbollit në Kosovë. Për shkak të rezultateve që kemi arritur me KHF Istogun, shumë fëmijë duan të ushtrojnë hendboll. Po ashtu shumë njerëz, jo vetëm në Istog, po dashurohen në këtë sport. Kontributi i klubit tonë është shumë i madh”, thotë Muratoviq.
Ka pak raste kur një sportiste e një klubi drejton skuadrën e meshkujve. Por, Muratoviq po jep kontributin e saj në qytetin që e respekton shumë.
