Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendbolli mbetet pa profesorin Mehdi Jashari

Një prej kontribuuesve më të mëdhenj të lojës së hendbollit në Kosovë, Mehdi Jashari, është varrosur të mërkurën pasdite në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Profesori Jashari, që për kohë të gjatë ka dhënë kontribut të madh për hendbollin në vend, ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes në moshën 74-vjeçare.

Jashari i lindur në Ferizaj është cilësuar lart për kontributin e dhënë në hendboll, transmeton Koha Ditore.

Për vdekjen e Jasharit, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK), Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të mërkurën kanë postuar në uebfaqet e tyre telegrame ngushëllimi.

"Federata e Hendbollit e Kosovës dhe komuniteti i hendbollit kanë mbetur pa një personalitet të madh. FHK-ja shpreh ngushëllime të thella dhe më të sinqerta për familjen Jashari", thuhet në telegramin e ngushëllimit të FHK-së.

Edhe Vdiq Izet Gjinovci, personalitet shumë i rëndësishëm i hendbollit kosovar Sport Vdiq Izet Gjinovci, personalitet shumë i rëndësishëm i hendbollit kosovar

Në telegramin ngushëllues të KOK-ut thuhet se sporti i Kosovës, në veçanti hendbolli, ka humbur një person që ka dhënë kontribut të madh, ndërkohë FFK-ja e ka cilësuar si shumë meritor në pavarësimin e sportit të Kosovës.

Jashari kishte nisur të luante hendboll në moshën 15-vjeçare, në klubin me famë të Ferizajt, Borci. Gjatë shkollimit në Prishtinë luajti si hendbollist për Obiliqin e më pas u kthye te Borci ku luajti edhe për dhjetë vjet të tjerë. Ka luajtur edhe në Bosnjë gjatë studimeve.

Aktiv dhe i suksesshëm ishte edhe pas tërheqjes nga loja aktive.

Për dy vjet punoi si trajner i Borcit dhe tetë vjet të tjerë i klubit të hendbollit Prishtina (meshkujt) në Ligën Federative.

Edhe Vdiq Muhamet Alaj, profesori që ka kontribuar gjatë për sportin Sport Vdiq Muhamet Alaj, profesori që ka kontribuar gjatë për sportin

Si përzgjedhës i Kosovës punoi prej vitit 1982 deri në vitin 1988. Ka udhëhequr reprezentacionin e të rinjve. Kontributi i Jasharit ka vazhduar edhe në vitet ‘90. Ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Komisionit të Garave të FHK-së, kurse nga viti 2001 deri në vitin 2006 ka qenë udhëheqës i kampeve të ndryshme në shumë qytete në Kosovë.

I ndjeri Jashari ka kaluar dekada si profesor universitar dhe kontributi i tij ishte i madh për shkollimin edhe të njerëzve të hendbollit. Doktoroi në Tiranë në vitin 1993 në lëmin e hendbollit. Ka punuar gjatë në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, ndërsa ishte edhe dekan i tij. Pas pensionimit kontribuoi si ligjërues edhe në AAB.