Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hendboll, një derbi te femrat e një te meshkujt

Në Vushtrri pritet të zhvillohet ndeshja më interesante e fundjavës në hendboll. Në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në konkurrencë të femrave, takohen Istogu e Vushtrria.

Kjo ndeshje luhet të shtunën (nesër) nga ora 17:30. Istogu është kampion në fuqi, ndërsa Vushtrria nënkampione. Dy skuadrat vlerësohen pretendente për trofe edhe këtë edicion. Aktualisht Istogu është i pari me 20 pikë, ndërsa Vushtrria e katërta me 16 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur.

Ndeshjen e parë e kishte fituar Istogu bindshëm, por vushtrriasit kanë plane tjera për ndeshjen e së shtunës.

“Prej javës së kaluar jemi duke u përgatitur për këtë derbi. Istogu ka ekip cilësor me lojtare të huaja dhe e dimë që do të jetë lojë e fortë. Por vajzat tona janë shumë të motivuara dhe të gatshme. Besojmë në atmosferë të mirë dhe do të japim maksimumin për të fituar”, ka thënë trajneri i Vushtrrisë, Arben Parduzi.

Istogu në Vushtrri udhëton për fitore.

“Jemi të gatshme. Istogu udhëton për fitore. Me angazhim maksimal shpresoj t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë kapitenja e Istogut, Albina Rugova.

Edhe Istogu synon titullin, Vushtrria të sigurojë ndeshjen e tretë Sport Istogu synon titullin, Vushtrria të sigurojë ndeshjen e tretë

Në Superligën e hendbollistëve luhet java e 17-të. Derbi në mes të Prishtinës dhe Kastriotit luhet të dielën nga ora 18:00. Prishtina është e dyta ndërsa Kastrioti i katërti.

Ndeshjet tjera janë të shtunën: Besa Famgas – Vushtrria (15:30), Llapi – Trepça (19:00), Drenica – Drita (19:00), Prizreni – Vëllaznimi (16:00).