Sport

Haxhi Krasniqi zgjedh për trajner boksierin që e kishte mposhtur për titull

Më 21 mars të vitit 2015, Juergen Braerhmer, kishte mposhtur Haxhi Krasniqin në luftën për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBA.

Tani gjermani Braehmer do ta udhëheqë nga këndi boksierin kosovar.

Të martën Haxhi Krasniqi ka njoftuar se Braehmer është trajneri i tij i ri.

35-vjeçari Krasniqi, i njohur me emrin Robin në boksin profesionist, do të kthehet në ring më 25 shkurt. Përballë do ta ketë Timur Nikarkhoevin, në mbrëmjen e boksit në Munich.

“Bild” ka shkruar të martën se Krasniqi është i vendosur të kthehet në nivelin e lartë dhe të luftojë sërish për titull të botës. Dhe ka vendosur të bashkëpunojë me Braehmerin që karrierën e mbylli me 52 fitore e tri humbje dhe që ka mbajtur tituj të botës.

Krasniqi ka bashkëpunuar për kohë të gjatë me Magomet Schaburow. Por tani për trajner e ka 44-vjeçarin Braehmer.

“Kemi ushtruar në ‘RK Gym’ për dy ditë. Jam i lumtur që e kam Juergenin si trajner. Një njeri që ka provuar shumë gjëra në ring, ishte kampion i botës për kohë të gjatë, ka shumë përvojë dhe ka bërë shumë për boksin. Kam dashur të kem nxitje të re”, ka thënë Krasniqi për “Bild”.

“Robini më ka kontaktuar shumë kohë më parë, por nuk kam mundur për arsye biznesi. Por në tri javët para luftës në Munich, e përkrah atë. Mendoj se ka shumë potencial. Robini është skajshmërisht i zellshëm në stërvitje”, ka thënë Braehmer.

Kundërshtari i Krasniqit, Nikarkhoev, është i lindur në Rusi, ndërsa jeton në Belgjikë. Ndaj tij Krasniqi e Braehmeri synojnë suksesin e parë të përbashkët.

Krasniqi ka 51 fitore e shtatë humbje në karrierë. Së fundi kishte boksuar më 9 tetor të vitit 2021 kur kishte humbur me një vendim të dyshimtë të gjyqtarëve nga Dominic Boesel.

Krasniqi në vitin 2020 fitoi titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA, titull që u shua ndërkohë. Ka boksuar dy herë tjera për tituj të botës, por ka pësuar. Ndërkohë ka mbajtur gjatë titullin e Evropës. Është prej boksierëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave.