Trajneri i futbollit Erdin Hashani dhe gazetarja e sportit, Qëndresa Krelani janë të mendimit se Prishtina mund të ketë paraqitje më dinjitoze sesa të Llapit dhe Dritës në garat evropiane. Por, si Hashani ashtu edhe Krelani presin që të tria ekipet të kenë sukses në Evropë. Kampionia Prishtina do të marr pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, kurse nënkampionia Drita dhe fituesi i Kupës, Llapi do të marrin pjesë në parakualifikimet e Ligës së Konferencës.
“Prishtina e ka skeletin e ekipit, ndoshta një apo dy prurje mund t’ia vlej. Edhe nëse nuk bën, ka skuadër. Te Drita pritet të bëhen prurje të reja. Mendoj se ka nisur revulicioni te Drita. Për Evropë ndoshta nuk është mirë, pasi rezultati i mirë i klubeve i jep Kosovës mundësi ta kenë edhe një skuadër të katërt në Evropë. Prishtina është më kompakte se Drita dhe Llapi, duke shtuar edhe ecurinë në ndeshjet e fundit. Shpresojmë edhe në Evropë për paraqitje të mirë”, ka thënë Hashani.
Ndërsa, Krelani ka theksuar se statistikat janë në favor të Prishtinës. “Drita është mirë që ka nisur rifreskimin e ekipit. Ka qenë skuadër e lodhur, por ndryshimet janë të vonshme. Prishtinën e shoh më mirë se Llapin dhe Dritën duke u bazuar në statistikat”, ka thënë Krelani.