Sport

Hasan Hyseni, këmbëshpejti nga Mitrovica që po i prin sulmit të Malishevës

Shënoi një ndër golat më të bukur këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Hasan Hyseni realizoi golin e dytë në fitoren e Malishevës kundër Drenicës si mysafire me rezultat 3:2.

Sulmuesi nga Mitrovica gjuajti fuqishëm nga rreth 30 metra dhe realizoi në ndeshjen e së dielës. Ai u shpall lojtari më i mirë i javës së 25-të në elitën e futbollit kosovar.

Hyseni është golashënuesi më i mirë i Malishevës në Superligë me pesë gola. I ka edhe tri asistime.

24-vjeçari ka thënë për KOHËN se ndihet shumë mirë që po e ndihmon skuadrën në momentet kur i duhet më së shumti. Hyseni beson fuqishëm se Malisheva do të mbetet në Superligë.

Malisheva ka 32 pikë në vendin e gjashtë. Është gjashtë pikë larg pozitës së tetë që dërgon në barazh e që aktualisht e mban Dukagjini.

“Është një ndjenjë shumë e mirë se pari për fitoren e ekipit dhe për golin e shënuar. Po ashtu është shumë mirë kur zgjidhesh edhe lojtari i javës. Është motiv shtesë për mua që të punoj edhe më shumë dhe ta ndihmoj skuadrën që të arrijë objektivin. Mendoj se jam ambientuar shumë mirë me grupin dhe me qytetin dhe mendoj që kemi përkrahje të madhe. Kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve, kemi lojtarë me përvojë të madhe dhe jemi një kombinim i mirë ku pa dyshim që do të mbesim në Superligë”, ka thënë Hyseni të hënën.

Ai thotë se Malisheva është e bashkuar dhe të gjitha rezultatet pozitive u takojnë të gjithëve. Hyseni falënderon lojtarët dhe trajnerin Arsim Thaqi që, sipas tij, e kanë ndihmuar ta rikthejë formën.

“Unë jam duke kaluar nëpër një fazë shumë të mirë dhe shpresoj që të vazhdoj kështu deri në fund të sezonit. Kuptohet se në secilën ndeshje futemi për fitore dhe se barrën e bartim i gjithë grupi. Me ndihmën e bashkëlojtarëve kam arritur që të jem njëri nga golashënuesit më të mirë të skuadrës. Formën e kam rikthyer falë punës, seriozitetit dhe besimit të trajnerit Arsim Thaqi”, u shpreh sulmuesi i Malishevës.

Hyseni, që ka luajtur për disa skuadra në Superligë, thotë se mbështetjen më të madhe e ka pasur nga familja. Ai u është mirënjohëse dhe dy klubeve nga Mitrovica, Trepçës ’89 dhe Trepçës.

“Përkrahjen më të madhe e kam nga familja. Si çdo futbollist edhe unë kam pasur vështirësitë, por me punë dhe angazhim kam arritur t’i kaloj dhe nuk kam mundur asnjëherë ta shoh veten larg futbollit. Hapësira nuk më ka munguar edhe te Trepça ’89 ku jam rritur, si dhe te Trepça. Kam pasur mjaft hapësirë të tregoj talentin tim dhe mendoj që e kam treguar. U jam mirënjohës të dyja ekipeve”, përfundoi Hyseni.

Si lojtar Hasan Hyseni është rritur te Trepça ’89, ku e ka fituar titullin dhe Superkupën e Kosovës në vitin 2017. Ka luajtur gjashtë muaj edhe te Trepça, klub ku pati paraqitje të mira. Në Superligë ka veshur edhe fanellat e Drenicës e Gjilanit, kurse në Ligën e Parë te A&N nga Prizreni përpara se të kalojë te Malisheva në verën e vitit 2021.