Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Hapi i madh i Albion Rrahmanit

Sulmuesi kosovar, Albion Rrahmani, ka bërë hapin e madh në karrierë. 22-vjeçari ka kompletuar transferimin e tij te Rapidi i Bukureshtit. Ai të hënën është prezantuar te skuadra rumune, me të cilën ka firmosur kontratë trevjeçare.

Te Rapidi, Rrahmani do ta bartë fanellën me numrin 9, ndërsa te kjo skuadër u transferua nga Ballkani i Suharekës. Kampioni i Kosovës përfitoi 600 mijë euro nga shitja e Rrahmanit.

Te Rapidi, Rrahmani po shihet si përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv.

“Rapidi ka forcuar sulmin me Albion Rrahmanin, golashënuesin më të mirë të elitës së Kosovës në edicionin e shkuar. 22-vjeçari ka firmosur kontratë për tri edicionet e ardhshme”, ka njoftuar Rapidi.

Pas prezantimit Rrahmani ka thënë se është shumë i lumtur që karrierën do ta vazhdojë te Rapidi. Sipas tij, ishte projekti i klubit rumun që e bindi t’i bashkohet, ndërsa ka shtuar se me padurim pret debutimin me fanellën e Rapidit.

“Po ndihem shumë mirë. Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Dua të dëshmoj vlerat e mia sa më shpejt që të jetë e mundur para tifozëve dhe klubit. Mezi po pres të debutoj dhe të bëj paraqitje të mira”, ka thënë Rrahmani. “Unë e zgjodha Rapidin për shkak të projektit që synohet të zbatohet këtu. Është një projekt shumë i mirë dhe ndjeva se ishte më mirë të isha këtu”.

Rrahmani prej verës së vitit 2021 ishte pjesë e Ballkanit. Ai me ekipin nga Suhareka ka fituar tre trofe, dy tituj kampioni dhe Superkupën e Kosovës. Vitet e fundit ka shënuar pothuajse rregullisht gola për Ballkanin në të gjitha garat. Edicionin e fundit ishte sulmuesi më i spikatur në elitën e futbollit kosovar, ndërsa u tregua mjaft i suksesshëm edhe në ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës, verën e kaluar. Ai u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit të Kosovës për edicionin 2022/23, në të cilin realizoi 22 gola në 35 ndeshje të luajtura. Në total Rrahmani pati 30 gola dhe 8 asistime në 50 paraqitje në total për Ballkanin në të gjitha garat.

Këtë edicion Rrahmani shënoi 2 gola në 4 ndeshje të luajtura për Ballkanin në garat e UEFA-s: kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Konferencës.

Rrugëtimi i Rrahmanit nuk ka qenë aspak i lehtë. Karrierën e ka nisur nga liga e dytë e Kosovës. Ai ishte larguar nga të rinjtë e Llapit për të luajtur te Minatori i Magures në kategorinë e tretë të futbollit kosovar, në verën e vitit 2019. Pas gjashtë muajve te Minatori, Rrahmani në janar të vitit 2020 iu bashkua ekipit tjetër të këtij rangu, Bashkimit të Koretinit. Edhe te Bashkimi luajti vetëm gjashtë muaj për t’iu bashkuar Malishevës, ekip të cilin e ndihmoi të promovohet në Superligë, përpara se të transferohet te Ballkani. Ngritjen e madhe e bëri te Malisheva e më pas shpërtheu te Ballkani. Por jo menjëherë.

Muajt e parë te Ballkani ishin të vështirë për Rrahmanin, i cili pati minutazhë të vogël. Por, me ardhjen e trajnerit Ilir Daja në krye të ekipit nga Suhareka, gjithçka ndryshoi në favor të Rrahmanit. Ai gradualisht u stabilizua dhe u bë i pazëvendësueshëm në përbërjen e parë të Ballkanit. Po ashtu është ftuar dy herë në grumbullimet e Përfaqësueses së Kosovës, por që nuk ka regjistruar ende paraqitje zyrtare.

Rrahmani bëhet lojtari i dytë brenda këtij viti i cili u largua nga Ballkani për ta vazhduar karrierën në Rumani. Në miniafatin kalimtar të janarit, sulmuesi Ermal Krasniqi u largua nga Ballkani për t’u transferuar te skuadra e Clujit.

Rapidi është skuadër me traditë në Rumani. Edicionin e kaluar përfundoi në pozitën e pestë.

Ka tre tituj të Rumanisë, të fundit në vitin 2003. Nënkampion ishte 14 herë. Kupën e Rumanisë e ka fituar 13 herë, së fundi në vitin 2012. Ka edhe katër Superkupa të Rumanisë.

Artikuj të ngjashëm