Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Haland është heroi i ri i Norvegjisë

Erling Haland ende nuk kishte lindur kur braziliani Adailton shënoi gjashtë gola kundër Koresë së Jugut në vitin 1997 në Malajzi për të vendosur rekord për gola të shënuar në një ndeshje të Botërorit U-20 dhe dukej se nuk do të thyhej kurrë.

Por ky rekord zgjati deri të enjten mbrëma, kur në skenë doli norvegjezi Haland, që në ndeshjen e fundit të ekipit të tij në fazën e grupeve shënoi hiç më pak se nëntë gola. Norvegjia shënoi fitoren e parë në këtë botëror (U20) që po mbahet në Poloni, pasi në kuadër të Grupit C triumfoi ndaj Hondurasit me rezultatin 12:0.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se fituam një ndeshje në botëror”, ka thënë Haland që serinë e golave e nisi në minutën e shtatë për ta përmbyllur në minutën e 90-të, shkruan FIFA.com, transmeton “Koha Ditore”. “Detyra ime është të shënoj gola dhe kur bëj këtë ndiej kënaqësi. Por këtë herë kënaqësia ishte nëntë fish më e madhe për shkak se kurrë nuk kam ëndërruar që të shënoj nëntë gola në një ndeshje, e aq më pak të vendos rekord”.

Haland kishte dështuar të shënonte gola në dy ndeshjet e para të Norvegjisë, që i kishte humbur nga Uruguai (3:1) dhe Zelanda e Re (2:0), por trajneri Pal Johansen kishte vazhduar të besojë te sulmuesi i tij. Johansen e dinte shumë mirë që Norvegjisë nuk do t'i mungonin golat e Halandit, që sipas tij është një golashënues i lindur.

“Ai ishte golashënuesi më i mirë i kualifikimeve me dhjetë gola, kështu që e dija se ai do të shënonte në çdo moment edhe në botëror. Atij iu nevojitën disa ndeshje për t'u adaptuar. Edhe në dy ndeshjet e para kishte shumë raste, por për fat të keq nuk i konkretizoi”, ka thënë Johansen.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)