Mbrojtësi i krahut të majtë, Florent Hadërgjonaj, ka gjasa që karrierën ta vazhdojë në Premier League.
E përditshmja gjermane "Bild" ka njoftuar se interesim për Hadërgjonajn ka shprehur Huddersfield Town, ekip që këtë edicion po garon në Premier, përcjell Koha Ditore. Bëhet e ditur se Huddersfieldi i ka kërkuar Ingolstadtit huazimin e Hadërgjonajt, me detyrim të blerjes së tij në fund të këtij edicioni.
Hadërgjonaj 23-vjeçar aktualisht është përjashtuar nga ekipi i parë i Ingolstadtit për shkak se ka kërkuar largimin derisa zyrtarët e klubit i kanë bërë me dije se ai mund të largohet vetëm me kushtet që i kërkojnë ata.
Ai verën e shkuar u transferua te Ingolstadti gjerman nga Young Boysi dhe pati paraqitje të mira në Bundesligë. Hadërgjonaj ka kontratë me ekipin që këtë edicion bën gara në kategorinë e dytë, deri në vitin 2020. Krahas Huddersfieldit interesim për Hadërgjonajn kanë treguar edhe ekipet gjermane si Hoffenheim e Augsburg.