Lara Gut-Behrami ka dalë e para në podium në Kupë të Botës në skijim alpin të shtunën, pasi e fitoi garën e disiplinës Super-G në Kvitfjell të Norvegjisë.
Skitarja zvicerane, gruaja e ish-futbollistit Valon Behrami, e shënoi kohën 1 minutë e 33.52 sekonda.
Askush nga skitaret e tjera nuk e arriti kohën e kampiones Olimpike.
Kështu, ajo e shënoi fitoren e 45-t në Kupë të Botës, dhe ka 25 pikë më shumë në renditje në edicionin aktual në disiplinën Super-G.
“Nuk ka strategji. Dua që të kënaqem me atë që bëj. E di se nuk do të marrë pjesë edhe në një mijë gara të tjera, kështu që po tentoj të kënaqem”, tha 32-vjeçarja për Federatën Ndërkombëtare të Skitarisë.
Cornelia Huetter dhe Mirjam Puchner zunë vendin e dytë dhe të tretë.