Sport

Grupi C, më interesanti në Ligën e Evropës

Jamie Vardy mund të jetë titullar për Leicesterin kundër Napolit në ndeshjen ku të dyja e kërkojnë vendin në 16-të skuadrat më të mira të garës.

Sulmuesi Vardy ka luajtur vetëm 30 minuta si zëvendësues këtë edicion në Ligën e Evropës, por mund të luajë rol vendimtar në Itali. Ai luajti si zëvendësues në humbjen 2:1 në Premier League kundër Aston Villas.

Të katër ekipet e Grupit C mund të kualifikohen. Në takimin tjetër, Legia e Varshavës e pret Spartakun e Moskës.

Skuadra e parë shkon direkt në raundin e 16-të skuadrave më të mira dhe vendi i dytë përballet me skuadrën e Ligës së Kampionëve në raundin e plejofit për raundin e 16-të skuadrave më të mira.

Në Ligën e Evropës në duelet tjera, Real Sociedadi synon vendin e dytë në Grupin B. Por, spanjollet duhet t’i mposhtin holandezët e PSV-së, që aktualisht pozicionohen në vendin e dytë. Lazio e pret Galatasarayn. Të dyja këto ekipe e kanë siguruar kalimin e fazës së grupeve, por turqit kërkojnë ta mbajnë vendin e parë në Grupin E.

Trajneri i ri i Rangersit, Giovanni Van Bronckhorst, i ka fituar katër ndeshjet e para në krye të skuadrës por ka ndeshje të vështirë në udhëtim te lideri i Grupit A, Lyoni. Lyoni është i pari në grup me pesë fitore.