Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Griezmann, gabimi i shtrenjtë i Barcelonës

Sulmuesi francez Antoine Griezmann u bë transferimi i tretë më i shtrenjtë në historinë e Barcelonës kur u transferua në “Camp Nou” verën e shkuar nga Atletico Madridi për 120 milionë euro dëmshpërblim. Ndërsa numrat e tij – 14 gola në 43 paraqitje – nuk janë prej më të mirëve, ndikimi i Griezmannit në ekip nuk ka qenë ai që klubi shpresonte kur shpenzoi shumë para për kartonin e tij. Griezmann ka qenë vetëm një herë startues në katër ndeshjet e fundit të Barcelonës në La Liga, ndërsa në duelin e fundit me Atletico Madridin (2:2) francezi u fut nga banka e rezervistëve në minutën e 90-të.

“Është e vërtetë që është vështirë për një lojtar të kalibrit të tij të futet në lojë në fund të ndeshjes, por rrethanat më detyruan për një lëvizje të tillë. Kam mundur edhe të mos e inkuadroj fare, por gjithmonë shpreson se një lojtar si Griezmann mund ta fitojë ndeshjen, pavarësisht minutave në fushë”, ishin deklaratat e trajnerit të Barcelonës, Quique Setien.

Në fakt, Griezmann këtë vit e ka shënuar vetëm një gol derisa Barcelonës i janë shuar shpresat për ta mbrojtur titullin e kampionit të Spanjës. Forma e dobët e Griezmannit tashmë ka ndezur spekulimet për një largim të mundshëm të tij nga Barcelona gjatë kësaj vere. Megjithatë, Griezmann nuk është gabimi i vetëm në vitet e fundit te Barcelona, ekip që ka paguar dëmshpërblime të majme për lojtarë që nuk kanë arritur të dëshmojnë veten me fanellën e këtij klubi.

Philipe Coutinho

Edhe më shtrenjtë se për Griezmannin, Barcelona pagoi për mesfushorin brazilian Philippe Coutinho. Në janar të vitit 2018, Coutinho iu bashkua Barcelonës si një përforcim i madh nga Liverpooli dhe ekipi nga La Liga nuk hezitoi që për kartonin e tij të paguante hiq më pak se 145 milionë euro dëmshpërblim. Megjithatë, pas vetëm 18 muajve te Barcelona, klubi vendosi që ta huazonte Coutinhon te Bayern Muencheni. Coutinho me fanellën e Barcelonës regjistroi 21 gola në 76 paraqitje, por këtë verë pritet të rikthehet në “Camp Nou”, për shkak se Bayerni nuk do ta shfrytëzojë të drejtën e blerjes së tij. Edhe pse ka kontratë me Barçën deri në vitin 2023, Coutinho në edicionin e ri pritet të jetë larg ekipit spanjoll.

Ousmane Dembele

Edhe Griezmann ëndërron finale përrallore në edicionin lamtumirës Futboll 3 muaj më parë Griezmann ëndërron finale përrallore në edicionin lamtumirës

Ngjashëm si Coutinho, edhe sulmuesi i krahut, Ousmane Dembele, pritet të largohet nga Barcelona gjatë kësaj vere. Edhe Dembele konsiderohet si një blerje e dështuar për ekipin nga La Liga që shpenzoi shumë para për transferimin e tij. Në verën e vitit 2017, Barcelona i pagoi Borussia Dortmundit hiq më pak se 125 milionë euro për Dembelen, për të cilin kishin pritje të mëdha. Megjithatë, lëndimet e shpeshta të francezit kanë bërë që ai të mos bindë me paraqitjet e tij deri më tash. Gjatë këtyre tri edicioneve në “Camp Nou”, Dembele ka qenë i limituar në vetëm 75 paraqitje në të gjitha garat.

Të tjerët...

Kiliani Alexis Sanchez është ai që ka bërë paksa më shumë përshtypje dhe kishte më shumë qëndrueshmëri te Barcelona sesa lojtarët e lartpërmendur. Sanchez me fanellën e Barcelonas shënoi 47 gola në 141 paraqitje, por u largua nga “Camp Nou” pas vetëm tri sezoneve për t’iu bashkuar Arsenalit. Një prej lojtarëve të tjerë ofensivë që u transferua te Barcelona për t’i siguruar mbështetje Lionel Messit është edhe turku Arda Turan. Ai i kushtoi Barcelonës 34 milionë euro për vetëm dy gola në 36 paraqitje. Ibrahim Afellay u transferua për dhjetë milionë, por pati vetëm 35 ndeshje dhe dy gola te Barcelona. Andre Gomes realizoi tre gola gjatë dy sezoneve te Barcelona, që i pagoi Valencias për transferimin e tij hiq më pak se 37 milionë euro. Ndërsa, Valencias i pagoi edhe 30 milionë euro të tjera për Paco Alcacerin që u largua nga “Camp Nou” pas dy vjetësh me 15 gola në 50 ndeshje në të gjitha garat. Malcolm e pati vetëm një edicion në “Camp Nou” pas transferimit nga Bordeauxi për 41 milionë euro, ku kontributi i tij ishte me katër gola në 24 paraqitje. Madje, edhe lojtarët që u vlerësuan si përforcime të qëlluara nuk kanë zgjatur shumë te Barcelona. Arthur Melo u shit te Juventusi pas dy vjetësh te Barcelona, David Villa u largua pas tre vjetësh, derisa Neymar nuk qëndroi më shumë se katër sezone.