Sulmuesi i krahut, Eros Grezda, pritet të largohet nga skuadra e Glasgow Rangersit për të vazhduar karrierën në Katar.
Mediumet skoceze kanë njoftuar të enjten se interesim për transferimin e Grezdës kanë treguar ekipet Al Sadd dhe Al Rayyan.
Mësohet se të dy këto ekipe nuk e kanë mbushur numrin e lojtarëve të huaj dhe kanë të drejtën e transferimeve të tilla deri të dielën në mbrëmje, transmeton Koha Ditore.
Al Sadd është kampion në fuqi i Katarit dhe ka për trajner ish-mesfushorin e Barcelonës, Xavi Hernandez. Grezda nuk bën pjesë në planet e ekipit skocez dhe pritet që brenda pak ditësh të zyrtarizojë largimin.
Kartoni i tij vlerësohet rreth dy milionë euro. Ai këtë edicion ka vetëm tri paraqitje te Rangersi në kuadër të Challenge Cup, kurse kontratë ka deri në vitin 2022. 24-vjeçari, në verën e vitit të shkuar u transferua te Rangersi nga Osijeku për dy milionë euro.
Grezda ka edhe 12 ndeshje e një gol të realizuar me Kombëtaren e Shqipërisë.