Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Grezda arrin marrëveshje me Brestin

Sulmuesi i krahut, Eros Grezda, do të luajë për ekipin nga Ligue 1, Brest.

Mediumet franceze kanë njoftuar të premten se ekipi francez ka arritur marrëveshje si me Grezdën ashtu edhe me skuadrën e Glasgow Rangers.

Mësohet se Bresti do të paguajë dy milionë euro dëmshpërblim për kartonin e Grezdës, i cili me ekipin francez do të firmosë kontratë katërvjeçare. 24-vjeçari pritet të zyrtarizohet gjatë këtyre ditëve te Bresti pas kontrollimeve mjekësore, transmeton Koha Ditore.

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë po largohet nga Rangersi pas një edicioni jo të mirë, në të cilin nuk arriti të bindë drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij.

Ai pati edhe lëndime të shumta dhe gjatë edicionit të shkuar regjistroi vetëm 17 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe asistuar vetëm një herë.

Edhe Grezda kërkohet nga ekipet franceze Sport Grezda kërkohet nga ekipet franceze

Grezda vitin e shkuar iu bashkua Rangersit për dy milionë euro nga Osijeku i Kroacisë dhe firmosi kontratë deri në vitin 2022.

Grezda ka edhe 12 ndeshje e një gol të shënuar me Shqipërinë, kurse karrierë ka bërë edhe tek ekipet si Lokomotiva, Zavrc e Aluminij.