Presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Gabriele Gravina ka insistuar se nuk do të heqë dorë nga kompletimi i stinorit dhe ka shtuar se do të përfitojë futbolli nga rikthimi i garave.
Me futbollin e pezulluar gati në gjithë botën, Gravina ka qetësuar të gjithë, duke insistuar se stinori do të përfundohet në fushë.
“Unë e respektoj shkencën, por nuk mund të heqë dorë. Ne po punojmë në mënyrën se si do të kthehemi në fushë, e jo se kur do të kthehemi. Kur Italia të kthehet në jetë dhe kur të jenë kushtet e duhura për sektorët tjerë që të rikthehen, atëherë edhe futbolli do të kthehet”, ka thënë Gravina përcjell “La Repubblica”.”Unë e them sërish: kampionati duhet të kompletohet, ka kohë. Qeveria, liga, FIGC, mjekët; ne do të vendosim së bashku, në mënyrë të përgjegjshme. Gjithë sistemi ynë do të përfitonte nga rifillimi”.
Gravina ka thënë se zhvillimi i pjesës së mbetur të kampionatit në vetëm një qytet nuk do të jetë i mundur, por mund të përjashtohet veriu i Italisë në rast të rikthimit.
“Kampionati pa ndeshje në veri të vendit është i mundshëm, por jo edhe kampionati në vetëm një qytet. Ne nuk mund të luajmë dhjetë ndeshje në fushën e njëjtë gjatë fundjavës. Do të na duhen edhe 20 qendra sportive. Anulimi do të hapte shumë probleme, ka disa paralajmërime nga disa klube. FIFA ka hapur rrugën që të kompletohen kampionatet. Nuk do të nisë stinori i ri pa përfunduar ai aktual. Nuk e kemi një afat përfundimtar kur të nisim, do të shkojmë në rrugë të ngjashme me ligat tjera evropiane. Nëse na lejojnë të luajmë në fillim të qershorit, atëherë kemi datat për ta përfunduar kampionatin në fund të korrikut”, ka shtuar Gravina.
Raportohet se të gjitha ndeshjet do të luhen në jug të Italisë. Gjitha klubet që janë në veri do të zhvendosen në jug për të luajtur në stadiume pa shikues.
Do të luhet çdo tri ditë deri më 12 korrik, por lojtarët që kanë kontrata të vlefshme deri më 30 qershor nuk do të jenë në gjendje të luajnë pas skadimit të kontratës.
Lojtarët që kanë qenë të infektuar me virusin nuk dihet se kur do të kthehen në fushë, ndërsa Sampdoria e Fiorentina kanë pasur numrin më të madh të lojtarëve të prekur.
Presidenti i FIGC-së, Gravina po ashtu ka vlerësuar qëndrimin e Juventusit se nuk do të pranojë titullin e Italisë nëse kampionati nuk përfundohet.
“Vetëm Këshilli Federal mund të vendos për Scudetton, por është për t’u vlerësuar ky qëndrim i Juventusit. Edhe unë e vlerësoj se titulli fitohet në fushë”, ka thënë Gravina.
Juventusi kryeson renditjen me 63 pikë, një më tepër se Lazio që zë vendin e dytë.