Granit Xhaka është shpallur futbollisti më i mirë i Zvicrës për vitin 2023. Ceremonia e shpalljes së më të mirëve në futbollin zviceran është mbajtur të hënën mbrëma në Bernë.
Xhaka ishte në konkurrencë me Manuel Akanjin dhe Zeki Amdounin, ndërsa u shpall më i miri për herë të dytë rresht. Ai është kapiten dhe lider i përfaqësueses së Zvicrës.
Mesfushori shqiptar tashmë mban rekordin për më së shumti paraqitje për Zvicrën. Ka arritur në shifrën e 121 ndeshjeve.
Trofeun e më të mirit Xhakës ia ka dorëzuar selektori Murat Yakin.
“Pa përkrahjen e gruas sime, që më përkrah shumë, do të ishte e pamundur”, ka thënë Xhaka duke mbajtur trofeun në dorë.
Ai ka falënderuar edhe ekipin dhe stafin, ndërsa është shprehur i lumtur që u shpall më i miri.
“Është shpërblim për punën që e bëjmë çdo ditë. Jam tejet i lumtur që e kam fituar sërish. Jam fitues sonte dhe do të punoj shumë që të jem sërish këtu pas një viti”, ka vazhduar Xhaka, që udhëtoi për në Bernë për ta pranuar çmimin. Ai po shkëlqen te Bayer Leverkuseni, skuadër të cilën po e udhëheq në garën për titull në Bundesligë.
Edhe
Xhaka e Shaqiri fitojnë çmimet kryesore në Zvicër
Në ceremoninë e së hënës mbrëma janë ndarë edhe shumë shpërblime. Valon Fazliu ishte në konkurrencë për më të mirin e vitit në kategorinë e dytë helvetike, por nuk u shpall. Pos lojtarit më të mirë të Zvicrës është shpallur edhe lojtari më i mirë i Superligës së Zvicrës.
“Ti e ke merituar çmimin”, ishte videomesazhi i Manuel Akanjit, që iu drejtua Xhakës përmes një videomesazhi gjatë ceremonisë.
Xhaka ka udhëhequr Zvicrën drejt kualifikimit në “Euro 2024”. Ai për herë të tretë është shpallur më i miri i Zvicrës në futboll. Për herë të parë ishte shpallur në vitin 2017.