Sport

Golat e Qëndresës në palestrën që mban emrin e axhës së saj

Motiv të dyfishtë ka Qëndresa Tërstena sa herë që luan në palestrën në Vushtrri. Me gola e angazhim mundohet të ndihmojë skuadrën, e në të njëjtën kohë të nderojë figurën e axhës së saj të ndjerë, Jeton Tërstena.

Një fotografi e madhe e Jeton Tërstenës, të njohur si Tota, qëndron mbi njërën nga dy tribunat e palestrës në qytetin e vjetër. Palestra mban emrin e këtij heroi të Kosovës, "Jeton Tërstena - Tota". Hendbolli është sporti kryesor që luhet në palestrën në Vushtrri. Luajnë skuadrat e meshkujve e femrave të Vushtrrisë e Samadrexhës. Lojën e hendbollit e luajnë qindra të rinj nga komuna e Vushtrrisë. Në mesin e tyre edhe vajza 16-vjeçare që ka lidhje të fortë emocionale me emrin e madh që mbanë palestra. Qëndresa ka vendosur për karrierë në sportin që e kishte dashur shumë axha i saj.

Jetoni kishte qenë portier te Kosova e Vushtrrisë deri në ditën kur topin e zëvendësoi me pushkë, kur iu bashkua UÇK-së.

"Nuk ishte e vështirë të vendosja për karrierë në hendboll. Jam motivuar shumë nga ajo që kam dëgjuar për axhën Jeton dhe rrugën e kam pasur të lehtë. Luaj hendboll pasi dëshirojë të mbajë traditën e këtij sporti në shtëpinë tonë dhe në qytetin tonë", ka thënë Qëndresa Tërstena në një bisedë për Koha.net. Karriera në hendboll po i ec mirë. Është zgjedhur sportiste e dalluar në Vushtrri, ndërsa në pjesën e parë të kampionatit aktual ishte golashënuesja më e mirë në Superligën e kadeteve. Ka realizuar 79 gola. Ajo është falënderuese ndaj trajnerëve Besim Shabani e Arben Parduzi, ndërsa synimet për të ardhmen i lidh me skuadrën e Vushtrrisë.

Vazhdimisht e ka në mendje se duhet të jetë shembull për të tjerët, për të nderuar figurën e axhës së saj.

"Jam shumë krenare. Fotoja e axhës tim hero më jep motiv për punë më të madhe. Ne jemi shumë krenar me të dhe tani dua që unë të jem shembull për të tjerët", ka shtuar Qëndresa Tërstena.

Babai i saj, Dritoni, ka treguar se heroi Jeton Tërstena - Tota, ka qenë portier te Kosova e Vushtrrisë dhe trajner e ka pasur Tefik Mikushnicën. Në klub ka qenë deri në ditën kur i është bashkuar UÇK-së, në vitin 1998.

"Si prind, jam i kënaqur me vendimin e Qëndresës për karrierë në hendboll. E mbështesim shumë dhe ndjehem krenar që e vazhdon rrugën e vëllait tim", ka thënë Driton Tërstena.

Jeton Tërstena - Tota ka rënë heroikisht më 6 gusht të vitit 1998 në Pantinë, në moshën 24-vjeçare.

Në nderim të Totës çdo vit organizohet një turne i hendbollit në palestrën që mbanë emrin e tij. Veprën e ish-hendbollistit e nderojnë edhe tifozët vushtrrias.

Qëndresa ndanë vlera që në skuadrën e Vushtrrisë thonë se i ka pasur Jetoni.

“Është lojtare perspektive, është shumë punëtore. Nuk ndalet as kur të tjerat pushojnë. Është golashënuesja më e mirë këtë edicion”, thotë trajneri i Vushtrrisë, Arben Parduzi.

Image
Image