Nëntë gola dhe shtatë asistime në 22 ndeshje të zhvilluara, është bilanci i sulmuesit kosovar Zymer Bytyqi me skuadrën norvegjeze, Viking, në këtë sezon.
Bytyqi shënoi edhe të dielën në barazimin që ekipi i tij e mori në udhëtim te Stabaeku, ndeshje që u mbyll 1:1. 24-vjeçari realizoi një gol të bukur me të djathtën nga distanca në minutën e 41-të.
Për KOHËN, Bytyqi ka deklaruar se po kalon momentet më të mira të karrierës. Ai ka theksuar se nuk është i befasuar me golat dhe formën e mirë, pasi thekson se ka punuar dhe se po i jepet mundësia të luajë në pozitën e tij.
“Jam shumë i kënaqur me formën që po kaloj në këtë edicion me skuadrën e Vikingut. Mund të them se është forma më e mirë për mua deri më tani. Gëzohem që po realizoj gola të bukur dhe po e ndihmoj ekipin që të arrij rezultate pozitive. Golat e bukur vijnë pas punës së madhe që kam bërë. Unë e kam pritur një formë të tillë, pasi kam punuar shumë dhe tani disi jam më i lirë të bëj atë që di më së miri. Po ashtu, rol kanë edhe bashkëlojtarët dhe trajneri, i cili po më jep hapësirë dhe po beson tek unë. Po luaj në çdo ndeshje dhe po luaj në pozitën time, aty ku di të luaj më së miri”, tha Bytyqi, i cili synon që të vazhdojë me gola edhe në ndeshjet e radhës.
“Synimet e klubit janë që të përfundojë në top-katërshe. Jemi duke punuar shumë për këtë. Shpresoj që të vazhdojë me gola edhe në ndeshjet e radhës në mënyrë që të arrijmë atë që duam”.
Golat e bukur dhe asistimet për bashkëlojtarët, kanë bërë që për Bytyqin të interesohen disa klube, emrat e të cilave nuk ka dashuri t’i zbulojë. Kontrata me Vikingun i skadon në fund të sezonit, klub për të cilin luan që nga viti 2015.
“Unë do të jem pjesë e Vikingut edhe në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit. Në fund të këtij sezoni më skadon kontrata dhe do të shoh se a do të vazhdoj të qëndroj në klubin aktual, apo do të largohem. Kam shumë oferta. Ka oferta edhe jashtë Norvegjisë, por me to po merret menaxheri im. Tani për tani nuk mund të zbuloj më shumë”, u shpreh ai.
Bytyqi ka pohuar se do të ishte shumë i kënaqur nëse do të merrte ftesën e Kosovës për ndeshjet e muajit nëntor. Megjithatë, pranon se i takon përzgjedhësit Bernard Challandes që të vendosë. Konkurrenca për pozitën e tij te Kosova është shumë e madhe.
“Unë do të isha shumë i lumtur nëse do të merrja ftesën nga Kosova A. Atë punë e vendos trajneri Bernard Challandes. Nëse i pëlqej më fton, nëse jo nuk më fton. Unë jam i gatshëm që të pranoj ftesën për ndeshjet e nëntorit, por unë nuk e vendosi këtë. Jam në formë të mirë dhe do të doja të isha pjesë e Kosovës për ndeshjet e radhës. Deri më tani nuk më ka kontaktuar askush. Besoj që janë të njoftuar me formën time”, tha Bytyqi, i cili e ka veshur fanellën e Kosovës A në dy ndeshje. Ndërkaq, më herët ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Norvegjisë.
Te skuadra e Vikingut paraqiten edhe dy shqiptarë të tjerë. Vëllai i Valon Berishës, Vetoni, i cili luajti për 90 minuta në ndeshjen e së dielës, si dhe reprezentuesi i Kosovës, Ylldren Ibrahimaj, që luajti 12 minutat e fundit ndaj Stabaekut.