Gjyqtarja japonez Yoshimi Yamashita pajtohet me Pelen ose këdo që ishte dekada më parë, e që për herë të parë e përshkroi futbollin si “lojë të bukur”. Yamashita është një nga tri femrat e zgjedhura nga FIFA për të qenë gjyqtare në Kupën e Botës për meshkuj në Katar, turne që hapet më 21 nëntor. Është hera e parë që një femër do të jetë në krye të skenës më të madhe të futbollit. Ajo e sheh punën e saj kështu: Lëreni lojën të shkëlqejë, ashtu siç duhet.
“Një nga qëllimet e mëdha si gjyqtare është të nxjerr në pah atraktivitetin e futbollit”, tha ajo të hënën në Tokio në një intervistë. “Unë bëj më të mirën për këtë dhe do të bëj atë që duhet në atë kohë për këtë qëllim. Pra, nëse kam nevojë të komunikoj me lojtarët, do ta bëj këtë. Nëse më duhet të tregoj një karton, do të tregoj një karton. Në vend të kontrollit, po mendoj se çfarë të bëj drejt qëllimit të madh për të nxjerr në pah tërheqjen e futbollit”.
Stephanie Frappart nga Franca dhe Salima Mukansanga nga Ruanda janë femrat e tjera të përzgjedhura. Në total janë 36 gjyqtarë. FIFA ka emëruar gjithashtu tre ndihmësgjyqtare femra në një grup prej 69 sosh në total: Neuza Back nga Brazili, Karen Diaz Medina nga Meksika dhe Kathryn Nesbitt nga SHBA-ja.
Megjithëse, ka të ngjarë që të tri gjyqtaret kryesore do të mund të jenë në krye të ndeshjeve, ende nuk ka asnjë të dhënë. Ato do të përdoren gjithashtu edhe si “arbitër të katërt” në fushë, por jo edhe si asistente.
“Çdo zyrtar i ndeshjes do të monitorohet me kujdes në muajt e ardhshëm me një vlerësim përfundimtar mbi aspektet teknike, fizike dhe mjekësore që do të bëhen pak përpara Kupës së Botës”, tha Massimo Busacca, drejtori i arbitrave të FIFA-s.
Edhe
Tri gjyqtare futbolli në Kupën e Botës në Katar
Zgjedhja e Yamashitas e vë fokusin në renditjen e ulët të Japonisë në shumicën e masave të pagës së barabartë për gratë dhe në studimet globale të barazisë gjinore. Vetëm 14.3 për qind e vendeve në legjislaturën kombëtare të Japonisë mbahen nga gratë – e 152-a nga 190 vendet në një studim të publikuar disa muaj më parë nga Shërbimi Kërkimor i Kongresit të SHBA-së. Një tjetër studim mbi hendekun gjinor të pagave e vendosi Japoninë në vendin e 120-të nga 156 shtete.
“Do të isha shumë e lumtur nëse gratë do të mund të luanin një rol aktiv në sport në këtë mënyrë, dhe nëse sporti, në veçanti futbolli, mund ta udhëheqë këtë”, tha Yamashita. “Në Japoni, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në botën e futbollit, kështu që do të ishte mirë nëse kjo do të lidhej me promovimin e pjesëmarrjes së femrave në mënyra të ndryshme, jo vetëm në futboll apo në sport”.
Futbolli i femrave ka udhëhequr rrugën në Japoni. Futbollistet e Kupës së Botës në vitin 2011 ishin nënkampione në vitin 2015 dhe kanë qenë vazhdimisht në mesin e ekipeve elitare të këtij sporti.
Yamashita kaloi një stërvitje të hënën jashtë Tokios, duke u zhytur në temperatura që arritën deri në 35 gradë celsius. Ajo qeshi kur iu kujtua se ndeshjet në Katar do të jenë shumë më të ftohta, duke u luajtur në dimër në hemisferën veriore dhe në stadiume me ajër të kondicionuar. Yamashita dukej e relaksuar gjatë intervistës, e larguar nga presioni i dukshëm. Ajo ka qenë gjyqtare në J-Leaguen e meshkujve në Japoni dhe gjithashtu ka qenë përgjegjëse në Ligën e Kampionëve të Azisë. Ajo gjithashtu trajtoi edhe ndeshjet gjatë Lojërave Olimpike të Tokios vitin e kaluar.
“Sigurisht, mendoj se presioni është i madh dhe mendoj se kam shumë përgjegjësi. Por jam shumë ë lumtur që e përballoj këtë detyrë dhe presion, ndaj përpiqem ta marr pozitivisht”, tha Yamashita.
Edhe
FIFA zgjedh gjashtë gjyqtare femra për Botërorin e meshkujve në Katar
Ajo tha se ndryshimi në lojën e meshkujve dhe femrave ishte, natyrisht, shpejtësia. Por, jo thjesht se disa meshkuj mund të vrapojnë më shpejt.
“Është shpejtësia, por jo vetëm shpejtësia e lojtarëve”, tha ajo. “Jo shpejtësia e topit. Është vetëm shpejtësia e lojës. Kjo do të thotë për mua që duhet të marr vendime më të shpejta në Kata. Komunikimin me lojtarët nuk e kam problem dhe besoj se ata do të më kuptojnë mirë”.