Berat Gjimshiti zhvilloi ndeshjen e 200-të me fanellën e Atalantas të enjten mbrëma dhe realizoi gol në ndeshjen e tij të veçantë. Goli i Gjimshitit në minutën e 50-të ndaj Sturm Grazit austriak bëri që skuadra italiane t’i marrë pikët e plota pasi ndeshja u mbyll 1:0.
Me fitoren e shënuar në kuadër të Grupit D të Ligës së Evropës, Atalanta siguroi kalimin në fazën nokaut. Atalanta është e para në grup me 10 pikë. Shtatë pikë ka Sportingu në vendin e dytë, kurse Sturm Grazi ka katër pikë në vendin e tretë. Rakowi i fundit është me një pikë.
“Ishte ndeshje e veçantë dhe shumë e rëndësishme në Ligën e Evropës pasi e patëm mundësinë për të kaluar në raundin tjetër të garës. Jam shumë i kënaqur me golin që e shënova, pasi ishte vendimtar në këtë sukses. Duhet të provojmë të fitojmë ndaj Sportingut. Do të jetë ndeshje për t’u parë, ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Megjithatë, ne do të provojmë ta fitojmë grupin dhe të dalim në vendin e parë. Në pjesën e parë bëmë gabime dhe nuk luajtëm mirë. Në pjesën e dytë ngritëm nivelin e lojës dhe fituam”, theksoi Gjimshiti.
Kapiteni i Shqipërisë, 30-vjeçari Gjimshiti, Atalantas i ishte bashkuar në vitin 2016, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2026. Ai ka tetë gola e shtatë asistime në 200 ndeshje në të gjitha garat me “ziekaltrit”.