Gjilani ka bërë edhe një hap para në garën për dalje në Evropë. Me fitoren ndaj Dukagjinit, Gjilani është forcuar në vendin e tretë, që garanton paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës sezonin e ri. Gjilani mposhti Dukagjinin në shtëpi 2:0, të mërkurën, në kuadër të xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll. Me këtë fitore Gjilani ka tubuar 50 pikë, nëntë më shumë se Dukagjini që mbetet i pesti. Deri në fund të edicionit aktual kanë mbetur edhe katër ndeshje për t’u zhvilluar. Fitoren Gjilanit ia siguroi sulmuesi Mevlan Zeka që shënoi dy gola.
“Duhet të jemi të kënaqur se nuk e kemi lejuar kundërshtarin të na rrezikojë që nga fillimi i ndeshjes. Menaxhuam shumë mirë edhe rezultatin pas avantazhit. Mendoj që me plot meritë arritëm te ky trepikësh. Jemi afër Evropës, por duhet të jemi të kujdesshëm. Deri në fund kemi mundësinë të mos pësojmë asnjë humbje. Mund të luajmë edhe për barazime. Çdo pikë deri në fund do ta ketë vlerën e tri pikëve”, tha trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani.
Për Gjilanin ishte ndeshja e pestë rresht pa disfatë në të gjitha garat, ku ka katër fitore e një barazim. Ndërkohë Dukagjini pësoi humbjen e parë pas një serie prej dy fitoreve e tri barazimeve. Zeka e zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të, ndërsa në minutën e tetë të kohës shtesë vulosi fitoren e Gjilanit. Nga minuta e 83-të, Dukagjini luajti me një futbollist më pak për shkak se gjyqtari kryesor, Alban Shala, e përjashtoi nga loja Ardin Dallkun për ndërhyrjen ndaj Baton Zabërgjës si lojtar I fundit.
“Në pjesën e parë nuk patëm paraqitje të mirë ku edhe pranuam një gol që mund të ishte i evitueshëm. U kthyem në pjesën e dytë, por nuk jam i kënaqur me punën e referimit edhe pse nuk dua të futem më thellë pasi gjithçka u pa brenda lojës ku kishte tendencë ndaj nesh”, tha trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku.
Kundërshtari i ardhshëm i Dukagjinit, Malisheva, të mërkurën shënoi fitoren e tretë rresht nën drejtimin e Bylbyl Sokolit. Malisheva në shtëpi e fitoi ndeshjen për mbijetesë ndaj Trepçës ’89 me rezultatin minimal 1:0. Për Malishevën është një hap i madh drejt mbetjes në elitë, ndërsa mitrovicasit vazhdojnë luftën e madhe. Me këtë fitore Malisheva forcohet në pozitën e shtatë në tabelë me 39 pikë, pesë më shumë se Trepça ’89 dhe Ferizaj që zënë vendin e tetë, përkatësisht të nëntë.
Edhe
Malisheva siguron Evropën pas fitores ndaj Drenicës
“Ishte ndeshje e vështirë për të dyja ekipet. Ne nuk filluam mirë, patëm shumë gabime, por fatmirësisht shfrytëzuam gabimin e kundërshtarit për të shënuar golin dhe për ta ruajtur rezultatin. Kjo fitore dërgon drejt sigurisë, pasi deri më tani kemi luajtur me presion për shkak të situatës në tabelë. Tash e tutje do të na nevojiten edhe 5 apo 6 pikë të për siguruar edhe matematikisht qëndrimin në Superligë”, tha trajneri i Malishevës, Bylbyl Sokoli.
Ndeshja e cila nisi me 20 minuta vonesë për shkak të matjes së dimensioneve të portave, u vendos me golin e Bleart Tolajt në minutën e 32-të. Malisheva në fundjavë luan në udhëtim te Dukagjini, teksa Trepça ’89 në “Riza Lushta” e pret Drenicën.
Drenica regjistroi edhe një tjetër humbje të mërkurën në elitën e futbollit kosovar, pasi u mposht në udhëtim 2:0 nga Ferizaj. Për Ferizajn ishte fitorja e parë pas një serie prej tri humbjeve.
“Është një fitore e rëndësishme në luftën tonë për mbijetesë dhe jemi ende në lojë për ta siguruar qëndrimin në Superligë. Do të vazhdojmë deri në fund dhe nuk do të dorëzohemi për ta arritur synimin tonë”, tha trajneri i Ferizajt, Andrej Panadiq.
Albin Krasniqi e kaloi në epërsi Ferizajn në minutën e 52-të, ndërsa golin e dytë për vendasit e realizoi Betim Haxhimusa (72’).
Drenica prej minutës së 57-të mbeti me një lojtar më pak pasi Lukman Hussein u ndëshkua me të kuq pasi qëlloi me bërryl Bujar Shabanin e Ferizajt. Nëntë minuta më vonë gjyqtari Mervan Bejtullahu përjashtoi edhe Enhar Cakollin e Ferizajt pas kartonit të dytë të verdhë. Me këtë fitore Ferizaj ka 34 pikë, aq sa ka edhe 89-shi, ndërkohë Drenica mbetet në pozitën e fundit me 23 pikë. Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli, pranoi se historia e ekipit të tij në Superligë ka mbaruar.
“Ne po mundohemi ta respektojmë kampionatin, sepse historia ka mbaruar. Por, nuk po na lënë ta respektojmë kampionatin. Edhe katër ndeshje kanë mbetur dhe do të shohim të krijojmë një ekip për të qenë të gatshëm për sezonin e ardhshëm, që të kthehemi në Superligë sërish”, ka thënë Devolli.
Kjo xhiro do të mbyllet me dy ndeshje derbi që zhvillohen të enjten prej orës 15:00, ku takohen Ballkani - Prishtina dhe Llapi - Drita.
Superliga – 32
E mërkurë
Gjilani – Dukagjini 2:0
Malisheva – Trepça ’89 1:0
Edhe
Malisheva forcohet në pozitën që siguron Evropën
Ferizaj – Drenica 2:0
E enjte (15:00)
Ballkani – Prishtina
Llapi – Drita
1. Drita 31 18 9 4 56:26 63
2. Ballkani 31 17 11 3 56:30 61
3. Gjilani 32 13 11 8 31:31 50
4. Prishtina 31 11 9 11 39:31 42
5. Dukagjini 32 11 8 13 32:33 41
6. Llapi 31 11 8 12 40:42 41
7. Malisheva 32 10 9 13 47:48 39
8. Trepça ’89 32 8 10 14 40:56 34
Edhe
Malisheva fiton dhe kalon Prishtinën e Gjilanin
9. Ferizaj 32 8 10 14 28:47 34
10. Drenica 32 6 5 21 23:48 23