Gjermania U17 e ka fituar Kupën e Botës për herë të parë, pas finales dramatike që u mbyll me ekzekutimin e penalltive.
Gjermanët e rinj mposhtën Francën e kësaj grupmoshe në “Stadion Manahan” në Indonezi të shtunën me rezultatin 4:3 në ekzekutimin e penalltive.
Koha e rregullt u mbyll baras, 2:2.
Për Gjermaninë shënoi Paris Brunner nga penalltia në minutën e 29-të.
Noah Darvich e dyfishoi epërsinë, gjashtë minuta pas pushimit.
Dy minuta pas golit të tij, Franca realizoi me mesfushorin Saimon Nadelia Bouabre.
Gjermanisë iu vështirësuan punët nga minuta e 69-të, kur me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua mesfushori Winners Mark Osawe.
Këtë e shfrytëzuan francezët, që barazuan shifrat me Mathis Amougou dhe ndeshja shkoi në penallti.
Gjermanët ishin më të saktë nga 11-të metra. Me penallti e kishin eliminuar edhe Argjentinën në gjysmëfinale.
Gjermania U17 u bë shteti i parë evropian që e fiton edhe Evropianin dhe Botërorin në të njëjtin vit.