Sport

Gjermania fiton me rezultat zyrtar ndeshjen e Botërorit

Ndeshja e Botërorit të hendbollit në mes të Kepit të Gjelbër dhe Gjermanisë, nuk do të zhvillohet. Sipas njoftimit të IHF-së, te Kepi i Gjelbër janë dy lojtarë me koronavirus dhe kjo përfaqësuese nuk e ka numrin e mjaftueshëm të lojtarëve për ndeshje. Për këtë arsye ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar, 10:0, në të mirë të Gjermanisë.

Ndeshja është dashur të luhet sot nga ora 17:00. Botërori po mbahet në Egjipt ndërsa ka pasur zëra që ngjarja të anulohet për shkak të situatës me COVID-19. Por IHF-ja ka vendosur të mbajë Botërorin dhe deri më tani ka pasur ndeshje shumë interesante.

Për shkak të rasteve me koronavirus, SHBA-ja dhe Çekia hoqën dorë nga Botërori. Në vend të tyre po garojnë Zvicra dhe Maqedonia e Veriut.

Kepi i Gjelbër ka në dispozicion për ndeshjen ndaj Gjermanisë vetëm nëntë lojtarë, ndërsa kërkohen së paku dhjetë. Për ndeshjen e tretë Kepi i Gjelbër pritet të zëvendësojë të infektuarit dhe të paraqitet për lojë.