Dy gola ka shënuar Nadiem Amiri të enjten mbrëma për përfaqësuesen U-21 të Gjermanisë në futboll. Gjermania fitoi 4:2 ndaj Rumanisë në gjysmëfinale të Evropianit që po mbahet në Itali e San Marino, dhe kështu siguroi vend në finale. Në finalen që luhet të dielën në Udine, Gjermania takohet me Spanjën.
Amiri kishte luajtur për Gjermaninë edhe më 27 mars të vitit të kaluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Numrin dhjetë e ka pasur në shpinë, shkruan sot “Koha Ditore”. Por ishte parë pak në fushën e lojës. Gol nuk kishte shënuar, njëjtë si lojtarët e tjerë të Gjermanisë.
Pa gola kishte përfunduar ajo ndeshje kualifikuese ndërmjet Kosovës U-21 dhe Gjermanisë U-21. Ndeshja që mblodhi afro 8.000 shikues në stadiumin buzë lumit Ibër në Mitrovicë, ishte e vlefshme për Evropianin që tashmë ka hyrë në fazën finale.
Gjermania ishte kampione në fuqi në atë ndeshje dhe vazhdon të jetë. Ndaj Kosovës, që ishte në mes të fushatës debutuese në skenën evropiane, llogaritej favorite e madhe, por nuk ia doli të fitonte.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)