Sport

Gjendja e shumicës së stadiumeve e tmerrshme, MKRS-ja përmend 30 stadiume për pesë vjet

Gjilani e Drita vazhdojnë të luajnë në fusha me bari sintetik. Stadiumi i tyre është larg përfundimit. Drenicës i është dëmtuar ndjeshëm stadiumi dhe në fundjavë luajti ndeshjen si vendas në Lipjan. Për fushën në Malishevë janë ankuar shumica e skuadrave. Objekti i stadiumit të Trepçës ’89 në Mitrovicë është shumë i vjetër, ndërsa muri rrethues u rrëzua muaj më parë.

Kjo nuk është e tëra.

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë duket më shumë si rrënojë se si objekt sportiv. Prishtina detyrohet të luajë në qytete të tjera për të ruajtur fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”. Ka telashe të mëdha me infrastrukturën e futbollit edhe në Ferizaj, Gjakovë e Pejë. Edhe në ndonjë qytet tjetër.

Por në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë optimistë, ndonëse gjendja vlerësohet shumë sfiduese. Optimist në MKRS ishin edhe në të kaluarën, por për gati dy dekada përmirësimet nuk ishin të mëdha. Dështimet ishin të shumta.

“Po i bashkojmë forcat për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë”, ka shkruar të hënën ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ai ka treguar se ka pasur takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, dhe me kryetarët e disa komunave. Së bashku me Ademin “e kanë shpalosur planin investiv pesëvjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë” para disa kryetarëve të komunave.

“Diskutuam për mundësitë e zbatimit të përbashkët të këtij programi investiv dhe morëm zotim që të vazhdojmë me marrëveshje të bashkëpunimit mes MKRS-së, FFK-së dhe komunave përkatëse. Për të realizuar këtë plan që parasheh përmbyllje të projekteve aktuale, renovime dhe stadiume të reja futbolli, kemi pranuar zotim për mbështetje financiare dhe profesionale edhe nga FIFA dhe UEFA”, ka shkruar ministri Çeku.

Ndërkohë zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka përmendur 30 stadiume për pesë vjet.

“Projekti i infrastrukturës së futbollit, drejt jetësimit. Për pesë vjet, 30 stadiume në komuna të ndryshme të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Edhe FFK-ja ka shkruar se plani, që u prezantua edhe në FIFA e UEFA kohë më parë, parasheh përmbylljen e renovimit të stadiumeve aktuale dhe ndërtimin e stadiumeve të reja me standardet e UEFA-s.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ishte pjesë e takimit në MKRS. Ai ka paraqitur kërkesën e ferizajasve për stadium të ri.

“Theksova domosdoshmërinë e ndërtimit të stadiumit të ri futbollistik ‘Ismet Shabani’ në Ferizaj, ashtu siç është kërkesë e mijëra ferizajasve, në zonën e komplekseve sportive në pjesën urbane. Këtë vepër madhore e meriton Ferizaj, sportistët, klubet sportive, tifozëria e sportdashësit ferizajas”, ka shkruar Aliu.

Jo vetëm infrastruktura e futbollit është problematike. Shumë shqetësuese është edhe gjendja e palestrave sportive, edhe atyre të ndërtuara nga fillimi. Për shembull palestra në Istog u dëmtua shumë rëndë nga erërat e disa ditëve më parë, ndërsa ai objekt prej kur është hapur ka qenë me telashe të shumta.

Shumica e palestrave vazhdojnë të jenë pa ngrohje, ndërsa ndeshjet vazhdojnë të luhen në temperatura të ulëta.

Në vitet e fundit janë ndërtuar shumë objekte sportive në Kosovë. Por fare pak prej tyre janë ndërtuar si duhet, me standardet e kërkuara dhe me material cilësor. Kjo bën që telashet thuajse në të gjitha objektet sportive të jenë të mëdha. Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për punët e bëra keq, të kryera shkel e shko dhe ato të lëna në gjysmë.

Ndërkohë, si në të kaluarën, projektet janë shumë ambicioze dhe prezantohen me bujë.

Komunat jo vetëm që nuk kanë para për të ndërtuar objekte të reja, por edhe mirëmbajtjen e objekteve aktuale e kanë shumë të vështirë. Dhe mirëmbajtja jo e duhur është tjetër goditje ndaj infrastrukturës sportive në vend.