Sport

Gjakova bëhet komuna e parë që pezullon plotësisht aktivitetet sportive

Të mërkurën Qeveria e Kosovës ka vendosur që ngjarjet sportive mund të mbahen në vend, pa praninë e publikut.

Të enjten dy ndeshje pa shikues u luajtën në Gjakovë, ndërsa të premten kjo komunë doli me vendim të ri. Gjakova i ka pezulluar në tërësi aktivitetet sportive.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Gjakovës ka mbajtur të premten mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka diskutuar për masat që po merren për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Gjatë kësaj mbledhjeje, në konsultim edhe me anëtarët e KKSB-së, kryetari i komunës, Ardian Gjini ka vendosur që si masa parandaluese për COVID – 19 të bëhet pezullimi i të gjitha aktiviteteve sportive (duke përfshirë këtu ndalimi i mbajtjes së kurseve të ndryshme) dhe të rikrijohet një grup punues i cili do të qëndrojë në kontakt me anëtarët e këshillit dhe institucionet shëndetësore”, thuhet në një njoftim të Komunës së Gjakovës.

Gjakova kështu bëhet komuna e parë që pezullon tërësisht aktivitetet sportive.

Të premten në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport është mbajtur një takim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe me drejtues të federatave ku është vendosur që të pezullohen aktivitetet e të rinjve, por të vazhdohet me garat e seniorëve, pa shikues në palestra. Ky vendim është ende në fuqi, por Gjakova ka shkuar përtej tij.

Ndeshje sportive nuk do të ketë në Gjakovë. Të premten është anuluar ndeshja e basketbollit në mes të Vëllaznimit dhe As Prishtinës. Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi gjakovar, ndërsa është konfirmuar edhe nga FBK-ja. Në FBK kanë thënë se ndeshjet në komunat tjera do të zhvillohen sipas orarit.

KB Vëllaznimi ka prezantuar edhe një vendim të Komunës së Gjakovës, në pikën e parë të të cilit thuhet se “ndalohen të gjitha aktivitetet sportive si klubet sportive, sallat e sportit publike dhe private, pishinat sportive, fitneset, klubet e video-lojërave sportive, kurset dhe trajnimet”.

Të enjten edhe një komunë tjetër ka shqyrtuar ndalimin e tërësishëm të aktiviteteve sportive, por ka hequr dorë nga vendimi në momentin e fundit, raporton Koha.net.

Image