Sport

Giroud, “gladiatori” që me gola ndihmoi Milanin ta fitojë titullin

Pasi Zlatan Ibrahimoviqi veproi si protagonisti i filmit “Braveheart” në një fjalim emocionues për shokët e tij të skuadrës, Olivier Giroudi i krahasoi bëmat e tij në fushë me një protagonist tjetër, atë të filmit “Gladiator”. Funksioni i dyfishtë i Hollywoodit nxiti skuadrën e Milanit drejt titullit të parë në Serie A pas 11 vjetësh.

“Ibra e krahasoi veten me ‘Braveheart’. Pra, unë do të isha një gladiator pasi ky edhe është filmi im i preferuar”, tha Giroud, duke qeshur të martën në një intervistë. Giroud u nënshkrua te Milani para fillimit të këtij sezoni pjesërisht si një rezervë për Ibrahimoviqin.

Por me suedezin 40-vjeçar që kaloi pjesën më të madhe të sezonit jashtë fushë për shkak të lëndimeve, Giroud e gjeti veten si një lojtar të rregullt në ekip. Dhe francezi ia doli mbanë, sidomos në ndeshjet vendimtare. Giroud shënoi dy gola në Sassuolo të dielën, teksa Milani fitoi titullin, menjëherë pasi Ibrahimoviqi luajti rolin e tij - pavarësisht se hyri në lojë vetëm në 18 minutat e fundit - duke mbajtur një fjalim të frymëzuar nga personazhi i Mel Gibsonit në filmin “Braveheart”.

Milanit i nevojitej vetëm një pikë në ndeshjen e fundit të sezonit të dielën e shkuar për t'u siguruar se do të mundte kampionin në fuqi, Interin. Dhe, shprehja e 35-vjeçarit Giroud kur ai shënoi golin e epërsisë - një buzëqeshje e ndezur, ndërsa vraponte për të festuar me shokët e tij të skuadrës - mund të bëhet simboli i fitores së titullit të ekipit.

“E dini çfarë? Duhet ta përjetoni një gjë të tillë për ta kuptuar. Po flisja me vëllain në telefon dhe i thashë se ndjenja e fitores në Sassuolo ishte e papërshkrueshme. Unë mendoj se adrenalina është një lloj droge për një sportist dhe unë e dua atë”, pranoi Giroud. “Ishte një ndjenjë e mahnitshme brenda meje dhe gjithashtu një lehtësim sepse nuk shënova shumë gola në ndeshjet e fundit, por ishte nata për ta bërë një gjë të tillë. Dhe, unë isha në vendin e duhur në kohën e duhur dhe Leao më dha një asistim të bukur dhe unë e mbarova punën”

Dy golat në fitoren 3:0 të Milanit te Sassuolo e çuan numrin e Giroudit në 11 gola në ligë dhe 14 në të gjitha garat, një rikthim disi i vogël për një sulmues. Por momenti i këtyre golave ​​i bëri ata edhe më të rëndësishëm. Ishin dy kundër Interit, i cili me sa duket po shkonte drejt një fitoreje jetike që do ta dërgonte shtatë pikë larg në krye të renditjes. Golat e Giroudit i dhanë Milanit fitoren dhe tri pikët që i lejuan skuadrës të mbante kreun e tabelës. Giroud gjithashtu shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 ndaj Napolit, i cili në atë kohë ishte gjithashtu një pretendent serioz për titullin e kampionit. Gjatë gjithë karrierës së tij, Giroud ka fituar një reputacion për paraqitjen e tij në momente të rëndësishme. Golat e tij vendimtarë në fund të sezonit 2019/20 e nxitën Chelsean të kualifikohej në Ligën e Kampionëve dhe gjashtë golat e tij në këtë garë ndihmuan klubin londinez të fitonte titullin evropian për herë të dytë.

Giroud është gjithashtu golashënuesi i dytë më i mirë i Francës me 48 gola, tre më pak se ish-sulmuesi i Arsenalit, Thierry Henry, dhe ndihmoi “Les Bleus” të fitojnë Kupën e Botës në vitin 2018.

“Unë mendoj se është e lehtë të gjesh motivimin në këtë lloj të ndeshjeve. Ndeshja në Sassuolo ishte një tjetër finale e fundit për ne, kërcimi i fundit, nëse mund të them”, është shprehur Giroud. ““Por po, ky sezon ishte i mrekullueshëm dhe padyshim si sulmues, gjithmonë dëshiron të shënosh sa më shumë gola që të jetë e mundur, por më e rëndësishmja është të jesh aty kur skuadra ka vërtet nevojë për ty. Dhe, në këtë lloj ndeshje ku duhet të fitosh, është e rëndësishme të bësh diferencën”.