Qendërmbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova, i është bashkuar Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet miqësore të këtij muaji, ka njoftuar të martën (22 mars) Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Në njoftim thuhet se Dellova është ftuar në vend të Emir Sahitit, i cili nuk mund të jetë pjesë e “Dardanëve” për shkak të lëndimit.
“Mbrojtësi i spikatur i KF Ballkani, Lumbardh Dellova i është bashkuar Kombëtares së Kosovës në grumbullimin për dy miqësoret e këtij muaji kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës. Ai është ftuar nga përzgjedhësi Alain Giresse, pasi futbollisti i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti është lënduar dhe nuk do të jetë në dispozicion për këto dy miqësore. Dellova aktualisht është pjesë e skuadrës lidere të Superligës së Kosovës, derisa më herët ka luajtur në Hajduk të Splitit dhe Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Kosova të hënën ka nisur përgatitjet për ndeshjet miqësore të këtij muaji.
Më 24 mars, Kosova luan në Prishtinë kundër Burkina Fasos, ndërsa pesë ditë më vonë, përballet me Zvicrën në Zuerich.