Gilbert Arenas ka bërë milionat duke luajtur në NBA. Por ish-ylli i NBA-së ndien se ai ishte vërtetë i bekuar për të fituar 300 mijë dollarë në lotarinë e Kalifornisë, të martën.
Ai bekim, ka thënë Arenas, erdhi nga një person i pastrehë, të cilin e takoi atë ditë.
Arenas luan llotari rregullisht, ndërsa zgjedh numrat e njëjtë nga i njëjti vend çdo herë. Ai ishte duke bërë rrugën e zakonshme të martën e kaluar, kur kuptoi se nuk kishte derivat të mjaftueshëm për të arritur atje.
Me pak kohë në dispozicion dhe me vetëm 10 dollarë para të gatshme me vete, Arenas u ndal në një pikë karburanti gjatë rrugës. Aty iu afrua personi, që i kërkoi të imëta.
Arenas ka treguar se ishte rrugës për të blerë tiketën e lotarisë dhe i duheshin paratë e gatshme për karburant. Pas disa diskutimeve ai i ofroi pesë dollarë personit.
Sipas Arenas, ai i ka thënë ish-basketbollistit: “Nuk do t’ia dalësh me pesë dollarë. Mbaji dhjetë dollarët dhe pasi të fitosh më gëzo me 20 dollarë”.
Arenas thotë se ka pyetur personin nëse është i sigurt.
“Po, unë e di se do të fitosh”, i është përgjigjur ai.
Kur Arenas arriti në destinacion, pa që shitorja ishte mbyllur më herët. Ai nuk ishte në gjendje të blinte tiketë atë ditë. Apo ai mendoi kështu.
Të nesërmen ai mori mesazh ku informohej se ka fituar 300 mijë dollarë. Pronari i dyqanit luajti numrat e Arenas pasi lojtari që tri herë luajti në All-Star nuk arriti me kohë.
38-vjeçari thotë se gjeti personin nga pika e karburantit dhe ia dha “hakun”. Nuk ka treguar shumën, por me gjasë i ka dhënë shumë më tepër se që ishte marrëveshja.
“Ai më përqafoi për më shumë se pesë minuta dhe më pas filloi të lutet”, ka shkruar Arenas. Ai ka luajtur në NBA për skuadra si Golden State Warriors, Washington Wizards, Orlando Magic dhe Memphis Grizzlies.