Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gega shkëlqen në Lojërat Mesdhetare, fiton të artën

Atletja shqiptare, Luiza Gega, ka shkëlqyer të premten mbrëma në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë.

Reprezentuesja e Shqipërisë ka fituar medaljen e artë në vrapimin 3000 metra me pengesa.

Gega e përfundoi vrapimin për 9:14.29 minuta. Është rezultati i saj më i mirë deri më tani dhe rekord i Shqipërisë. Medaljen e argjendtë e ka fituar Marwa Bouzayani e Tunizisë me kohë prej 9:29.11 minuta. Ndërkohë medaljen e bronztë e fitoi Ikram Ouaaziz e Marokut me kohë 9:32.87 minuta.

Tani Shqipëria i ka tri medalje në Lojërat Mesdhetare. Një të artë e një të bronztë i kanë fituar mundësit e natyralizuar nga Çeçenia.