Tenistja amerikane Coco Gauff ka treguar se e ka pasur të vështirë të përballet me bujën dhe presonin mental që ka ardhur me ngritjen e saj të shpejtë në botën e tenisit. Por, 16-vjeçarja ka treguar se ka nisur të rizbulojë dashurinë për sportin, pasi ishte dëshpëruar.
Gauff ka gëzuar famë të madhe në skenën e tenisit profesionist që nga korriku i vitit të kaluar, kur arriti në raundin e katërt të turneut Grand Slam Wimbledon, në paraqitjen e saj të parë në një turne të madh.
Ajo po ashtu arriti në rrethin e katërt të Grand Slamit “Australian Open” këtë vit, duke depërtuar në top 50 të renditjes botërore. U bë 15-vjeçarja e parë që u fut në Top 50 të renditjes në 15 vjetët e fundit.
“Përgjatë jetës sime, gjithmonë kam qenë më e reja që ka bërë gjërat, që ka shtuar bujën. Ka shtuar presionin. Pak para Wimbledonit, po luftoja që të zbuloja nëse kjo vërtetë është ajo që dua. Unë gjithmonë kisha rezultatet, por zbulova se nuk po shijoj atë që dua. E kuptova se duhet të nis të luaj për veten e jo për njerëzit tjerë. Për një vit isha vërtetë e dëshpëruar. Ishte viti më i vështirë për mua”, ka shkruar Gauff në një postim për “Behind the Racquet”.
Gauff ka treguar se kishte shqyrtuar të merrte një vit pushim për t’u përqendruar në jetën e vet.
“Mirëpo, vendimi për të mos e marrë pushimin ishte i duhur. Unë isha e humbur. Isha konfuze dhe po mendoja nëse kjo është ajo që dua. Unë mendova shumë dhe qava. Por, dola më e fortë”, ka thënë ajo.
Gauff po shihet si pasardhës e Serena Williamsit. Ajo tregon Serenan dhe motrën e saj Venus Williams i ka përcjellë nga fëmijëria.
“Unë ende jam në nivelin e tyre. Unë gjithmonë e ndjej se nuk është fer nga motrat Williams që të bëhet krahasim me dikë që vetëm sa po del në skenë. Nuk është korrekte, unë ende i shoh ato si idhuj. Sigurisht se shpresoj të arrijë aty ku janë. Pa to unë kurrë nuk do të kisha menduar të futem në tenis”, ka thënë Gauff.