Sport

“Gara” për të zëvendësuar Messin dhe Ronaldon

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk janë ende gati t'i thonë lamtumirë Kupës së Botës. Por ora po ecën në karrierën e tyre dhe turneu i Katarit mund të jetë hera e fundit që Messi e Ronaldo do të jenë në skenën më të madhe të futbollit. Me largimin e tyre në mendje, mendimet kthehen natyrshëm në një brez të ri përtej dy futbollistëve që kanë dominuar sportin për 15 vjetët e fundit, duke fituar 12 çmime të “Topit të Artë”, që jepen për lojtarin më të mirë të vitit. Messi e Ronaldo kanë edhe nëntë trofe të Ligës së Kampionëve.

Gjurmët e tyre janë të mëdha dhe për tifozët e shumtë secili qëndron i vetëm si më i madhi i të gjitha kohërave. Pra, nëse ndarja e Messit dhe Ronaldos ka qenë mjaft e vështirë, imagjinoni zëvendësimin e tyre.

Por jeta dhe sporti vazhdon dhe Kupa e Botës është skena perfekte për një gjeneratë të re superyjesh të mundshëm për ta shfaqur talentin. Një emër shquhet mbi të gjithë si pasardhës natyral i dy të mëdhenjve - Kylian Mbappe. Por sulmuesi francez nuk mund të përshkruhet si “i ri”. Mund të jetë vetëm 23 vjeç dhe ende duke pritur trofeun e parë të “Topit të Artë” ose Championsit, por Mbappe është tashmë fitues i Kupës së Botës dhe golashënuesi kryesor në këtë turne me pesë gola. Ai ka trofeun që dëshirojnë Messi dhe Ronaldo dhe mund të ketë dy prej tyre së shpejti. Mbappes mund t'i kenë mbetur edhe dy ose tri Kupa Bote. Me nëntë gola në dy turne deri më tani, ai po i afrohet rekordit të Miroslav Kloses prej 16 golave në Kampionate Botërore.

Botërori i Katarit ndihet si një kalim i pishtarit te sulmuesi i Paris Saint-Germainit, i cili kombinon lëvizjen magjepsëse të këmbëve me shpejtësinë shkatërruese dhe përfundimin klinik, të cilat janë cilësitë që veçojnë Messin dhe Ronaldon për kaq shumë kohë. Por për ta rivalizuar jetëgjatësinë e Messit dhe Ronaldos, ndoshta ajo që Mbappe kërkon është një rival për ta shtyrë drejt lartësive më të mëdha. A do të kishin arritur Messi apo Ronaldo nivele të tilla përsosmërie pa i shtyrë tjetri? Sfida më e dukshme për Mbappen tani vjen nga Erling Haaland, makineria e golave të Manchester Cityt, vendi i të cilit, Norvegjia, nuk u kualifikua në Kupën e Botës. Ai është një perspektivë tjetër: fuqi dhe objektiva të papërpunuara, pa finesën apo aftësitë individuale të Mbappes. Por nëse bëhet fjalë për numra, Haalandi ka potencialin të shkojë krah për krah me Mbappen për sa u përket trofeve evropianë dhe shënimit të golave.

Kupa e Botës ka ofruar konkurrencë më pak të dukshme për Mbappen. Jude Bellingham i Anglisë përfaqëson një profil të ndryshëm lojtari, por paraqitjet e tij dominuese në mesfushë e kanë çuar vendin e tij në çerekfinale ku do të takohet me kampionen në fuqi, Francën.

“Më pëlqen të luaj me të. Ai është i ri, është energjik, lëviz shumë mirë në fushë”, tha Declan Rice për Bellinghamin. “Për çdo lojë që kam luajtur me të deri më tani, thjesht i kam thënë: Kjo është skena jote, dil dhe performo”.

Ndërkohë, sulmuesi holandez Cody Gakpo ka tri gola dhe ka rritur reputacionin pasi u lidh me një transferim te Manchester Unitedi në verë. Por ai është ende duke luajtur në ligën holandeze me PSV Eindhovenin, kështu që ka ende punë për të bërë për t'u konsideruar në mesin e lojtarëve të elitës.

Portugezi Joao Felix ende nuk e ka përmbushur potencialin e tij në Atletico Madrid, por ka treguar talentin që e pa atë të identifikohej si një yll i së ardhmes kur u shfaq te Benfica. Ai ka cilësitë individuale që ndryshojnë lojën dhe e ndihmojnë për ta bërë të dallohet nga grupi. Një dalje e rastësishme nga hija e Ronaldos për Portugalinë mund ta ndihmojë zhvillimin e tij. Bashkëlojtari i Felixit te Portugalia, Gonçalo Ramos, është vënë papritur në fokus pas “hat-trickut” kundër Zvicrës në 1/8 e finales, kur zëvendësoi Ronaldon në formacion.

Argjentinasi Julian Alvarez duket si një golashënues natyral. Jamal Musiala i Gjermanisë shihet si shpresa e madhe e vendit të tij, ndërsa dyshja e mesfushës së Spanjës, Gavi dhe Pedri po sjellin kujtime të partneritetit të gjithanshëm të Xavit dhe Andres Iniestas.

Por për sa i përket ndikimit, askush nuk mund të krahasohet me Mbappen. Sigurisht, Messi dhe Ronaldo nuk kanë mbaruar ende.