Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Galliani mirëpret kthimin në “San Siro” me Monzan

Pjesa më e madhe e vëmendjes do të jetë jashtë fushës kur Monza do të luajë kundër kampionit në fuqi, Milanit, në Serie A të shtunën.

Do të ketë fytyra të njohura në hapësirën ku qëndrojnë drejtorët në “San Siro”. Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani kthehen në stadiumin e skuadrës me të cilën fituan 29 trofe në 31 vjet.

Berlusconi e bleu Monzan në vitin 2018 dhe ia besoi Adriano Gallianit postin e drejtorit ekzekutiv. Kjo dyshe ishte shumë e suksesshme te Milani deri kur Berlusconi e shiti klubin “rossoner” në vitin 2017.

“Do të jetë e vështirë të shkohet në dhomat e zhveshjes”, ka thënë Galliani.

“Po bëj joga mendore, sepse do të kem kamera për 90 minuta. Po punoj tash e disa ditë për t’u bërë imun ndaj ndonjë emocioni, ose të paktën të provoj. Do të provoj të jem më i relaksuar nga ndeshja e radhës. Nuk mund ta bëj këtë nga dueli Milan – Monza. Shpresoj se do të jem në gjendje të qëndroj i qetë dhe pa emocione, pavarësisht se çfarë ndodh në fushë. Sa herë që gjyqtari vërshëllen do të mundohem të mos lëviz”.

Edhe Nesta trajner i ri i Monzas Futboll Nesta trajner i ri i Monzas

Pas startit të dobët në sezonin e parë në elitën e futbollit italian, Monza është përshëndetur nga treshja e fundit në tabelë me një seri që nisi me fitoren e jashtëzakonshme ndaj Juventusit, në ndeshjen e parë të trajnerit Raffaele Palladino në krye të skuadrës.

86-vjeçari Berlusconi dhe 78-vjeçari Galliani e morën Monzan kur skuadra garonte në rangun e tretë të futbollit italian.

Galliani, i cili u lind në qytetin e Monzas, ka bërë të ditur në një intervistë për “DAZN” se edhe ajo pjesë ishte emocionale.

“Pas periudhës te Milani disa presidentë të Serie C më kanë thënë si mund të vini në këto stadiume pasi gjithë jetën tuaj e keni kaluar në ‘Camp Nou’ apo ‘Santiago Bernabeu’. Monza është ekipi i zemrës sime dhe i qytetit tim, skuadër të cilën e kam përkrahur qëkur kam qenë pesëvjeçar. Kjo është ëndërr e jetës. Pavarësisht se a është në Serie D, C, B apo A, nuk e largon pasionin tim. Serie A natyrisht se është diçka e jashtëzakonshme, por pasioni im është i pavarur nga liga ku jemi ne. Kur e shoh se Milani, Monza, Napoli, janë në të njëjtën listë të skuadrave në ligë, ende nuk e besoj. Është një ëndërr e kamotshme që është bërë realitet”, ka thënë Galliani.

Monza i humbi pesë ndeshjet e para në Serie A para se ta merrte pikën e parë. Kështu që nuk ishte shumë befasi kur klubi e shkarkoi trajnerin Giovanni Stroppa. Vetullat ishin të ngritura kur klubi njoftoi për zëvendësuesin e tij, që ishte trajneri i të rinjve të skuadrës, Palladino. Ai asnjëherë nuk kishte udhëhequr skuadër në ndeshje të seniorëve.

Monza vazhdoi edhe me dy fitore tjera pas triumfit historik përballë Juventusit, para se të mposhtej nga Empoli 1:0 në vikendin që shkoi. E mposhti edhe Udinesen në formë në Kupën e Italisë, të mërkurën.

“Palladino ka bërë mirë me ekipin e juniorëve, më pas me skuadrën U19 dhe presidenti e unë menduam që të njëjtën gjë do ta bëj edhe me ekipin e parë”, ka thënë Galliani. “Nëntë pikë në katër ndeshje, por le të mos themi asgjë...”.

Edhe Berlusconi punoi me 15 trajnerë të ndryshëm Sport Berlusconi punoi me 15 trajnerë të ndryshëm

Monza u ngjit në pozitën e 14-të, pesë pikë larg zonës që dërgon një rang më poshtë. Milani është i treti dhe do të ngjitet në krye të tabelës me fitore pasi Napoli dhe Atalanta nuk luajnë deri të dielën. Ndeshja Milan – Monza luhet të shtunën nga ora 18:00 dhe i takon xhiros së 11-të të Serie A.

“Gjëja e rëndësishme është që të mos përfundojmë në treshen e fundit”, është shprehur Galliani. “Është viti i parë në Serie A. Milan – Monza në ‘San Siro’... Serie A... Për mua është ëndërr, është jeta ime përballë vetes sime të shtunën në mbrëmje”.