Paulo Futre, një prej futbollistëve më të mirë në historinë e Portugalisë, i ka dalë në mbrojtje Cristiano Ronaldos, dhe i është drejtuar publikisht trajnerit të Manchester Unitedit, Erik ten Hagut. “Cristiano Ronaldo është numër një kur është puna për revansh.
Të shohim nëse ky artisti, Ten Hagu, nuk do të përjetojë makthe përgjatë Kupës së Botës. Shpresoj të jetë ashtu”, ka thënë Futre.
“Nuk ka fjalë të përshkruhet se çfarë ai i ka bërë Ronaldos. Ai i ka thënë atij të hyjë dy minuta para fundit. Cristiano nuk është vetëm një lojtar i zakonshëm. Ai ka pesë trofe të ‘Topit të Artë’”, ka shtuar Futre. Ronaldo dhe Manchester Unitedi ndanë rrugët edhe zyrtarisht të martën, ndërsa Futre shpreson që të kthehet në Real Madrid, aty ku Ronaldo i kaloi nëntë vjet si futbollistë.
“Nëse i lë pas problemet që i ka pasur me presidentin Florentino Perez, destinacioni i ardhshëm mund të jetë atje. Di Stefano dhe Ronaldo janë mite të Real Madridit”, është shprehur Futre. Ronaldo është në Kupën e Botës në Katar me Portugalinë, ndërsa debutimin pritet ta bëj të enjten kundër Ganës.