Futbollistja Donjeta Halilaj ëhtë transferuar nga Mitrovica te Beshiktashi i Turqisë. Kjo është bërë e ditur të martën nga klubi mitrovicas i futbollit.
Halilaj është reprezentuese e Kosovës, ndërsa karrierën e vazhdon në Superligën turke.
Beshiktashi në edicionin e kaluar ishte ndalur në çerekfinale të plejofit në elitën e Turqisë.
“Me një marrëveshje kemi arritur ta përmbyllim këtë transferim. Për një vit Donjeta do të huazohet te Beshiktashi, me mundësi vazhdimi. KFF Mitrovica e falënderon Donjeta Halilajn për kontributin e dhënë për pesë vjet në klub. Shpresojmë se ajo do të arrijë suksese edhe në klubin e ri”, shkruan në njoftim.
Donjeta Halilaj luan në mesfushë, ndërsa për Kosovën i ka 29 paraqitje e pesë gola. 23-vjeçarja është prej lojtareve më me përvojë te Kosova.