Lëndimet e shumta gjatë viteve si futbollist e kanë shtyrë Lorik Maxhunin që të mendonte edhe për një profesion të ri, i vetëdijshëm se karriera si lojtar mund të mos jetë e gjatë. Ai synonte një profesion që megjithatë nuk do ta ndante nga futbolli. E gjeti atë.
Maxhunit tani i bie shpesh t’i ndërrojë rrobat e përditshme me uniformat e dy profesioneve. Krahas fanellës së kuqe të Flamurtarit, Maxhuni e bart edhe mantelin e bardhë kur i përkushtohet profesionit të fizioterapeutit, në ordinancën e tij në Prishtinë, të cilën e ka hapur rishtas.
Puna e fizioterapeutit është ajo që Maxhuni e bën krahas asaj si lojtar, përkatësisht mbrojtës i krahut të djathtë.
Përballja me lëndime të shpeshta ka nxitur Maxhunin që tash e tutje t’i ndihmojë lojtarët e tjerë për t’u rikuperuar sa më shpejt e sa më mirë prej lëndimeve.
Lëndimet ia kanë pamundësuar Maxhunit që aftësitë e futbollistit t’i dëshmojë në ndonjë skuadër evropiane. Të paktën, kështu vlerëson ai vetë.
Në moshë të re, Maxhuni ka qenë pjesë e skuadrave si: RNK Split U17 e Lokomotiva U19 në Kroaci dhe Grazer AK në Austri. Më pas ka luajtur për shumë skuadra të vendit. Tani lidhjen me futbollin e ka forcuar edhe përmes profesionit që ka zgjedhur.
Në mesin e futbollistëve që Maxhuni i rikuperon nëpërmjet terapive ka edhe bashkëlojtarë e kundërshtarë të tij. Por, ai i sheh ata vetëm si pacientë.
“Fizioterapinë kam vendosur ta kryej pasi që është një profesion që fillimisht të bën të mburresh me punën që e bën. Çdo ditë e sheh veten duke ndihmuar pacientët për të bërë një jetë sa më të mirë. Lëndimet e shumta në të cilat kam kaluar në karrierën time kanë qenë një arsye tjetër shumë e fortë për të vazhduar me këtë profesion”, tregon Maxhuni, i cili e ka përfunduar me sukses drejtimin e Fizioterapisë në Fakultetin e Mjekësisë.
“Të jesh futbollist aktiv dhe të studiosh në të njëjtën kohë është e vështirë, mirëpo kam gjetur kohën dhe kam arritur që t’i menaxhoj në mënyrën më të mirë të dyja. Dëshira ime për t’i ndihmuar sportistët për t’i tejkaluar sa më shpejt lëndimet është e madhe, pasi kam kaluar në situata të tilla dhe e di se nuk është aspak e lehtë”.
Maxhuni është i bindur se do të jetë i efektshëm edhe si fizioterapeut. Dëshiron të japë kontributin e tij në rikuperimin e sportistëve që lëndohen në ndeshje apo në stërvitje. Lëndimet në futbollin kosovar, në fakt, janë të shpeshta.
Atij ndonjëherë i ndodh që punën e fizioterapeutit ta kryejë edhe në uniformën e futbollistit. Ka raste kur i duhet të reagojë shpejt nëse ndonjëri prej bashkëlojtarëve apo lojtarëve kundërshtarë dëmtohet gjatë ndeshjes. Një gjë të tillë e ka bërë në disa raste, shkaku i mungesës së fizioterapeutit. Ai tashmë e ka fituar edhe nofkën.
“Shokët e skuadrës po më thërrasin ‘doktor’. Ka pasur raste kur fizioterapeuti nuk ka qenë i pranishëm dhe u kam ndihmuar bashkëlojtarëve kur janë lënduar në ndeshje apo stërvitje. Mirëpo, edhe kur është fizioterapeuti aty, bashkëlojtarët më kërkojnë këshilla dhe sigurisht që nuk hezitoj për t’u ndihmuar”, shprehet Maxhuni, 27-vjeçar.
“Jam ende i ri në moshë dhe veten e shoh në futboll dhe në fizioterapi në të njëjtë kohë. Asnjëra nuk më pengon në punën që bëj, përkundrazi jam shumë i lumtur që kam arritur t’i bëj të dyja pasi kanë edhe shumë lidhshmëri njëra me tjetrën”.
Maxhuni thotë se tashmë në ordinancën e tij ka pacientë-futbollistë jo vetëm nga Flamurtari, por edhe të skuadrave të tjera që janë pjesë e Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës.
“Në ordinancën time vijnë futbollistë që kanë nevojë të rikuperohen pas intervenimeve që kanë pasur. Në mesin e lojtarëve që i kam pasur në trajtim ka edhe kundërshtarë. Por, kundërshtarë jemi vetëm në fushë. Më gëzon fakti që arrij t’u ndihmoj atyre që të rikthehen sa më shpejt në fushë dhe të përballemi në kampionat”, shprehet Maxhuni.
Maxhuni thotë se si fizioterapeut mund të mbetet në sport pas tërheqjes nga futbolli aktiv. Mirëpo, thotë se ende nuk është koha për t’i varur “këpucët në gozhdë”.
“Sigurisht që futbolli është jeta ime, pasi kam 20 vjet që merrem me këtë sport. Por, pas pensionimit besoj se do të vazhdoj me profesionin e fizioterapeutit. Me këtë profesion gjithmonë do të jem afër sportit, e sidomos futbollit”, u shpreh Maxhuni. “Përveç kontributit në fushë te Flamurtari, unë do të vazhdoj të përkujdesem edhe për lëndimet jo vetëm të bashkëlojtarëve, por edhe të gjithë futbollistëve e sportistëve të tjerë të Kosovës”.
Maxhuni është në edicionin e tretë te skuadra e Flamurtarit, që sezonin e fundit nuk i shpëtoi rënies nga Superliga e Kosovës në futboll. Në pjesën vjeshtore të këtij edicioni në Ligën e Parë, Flamurtari ka përfunduar i pari në Grupin B.
Para transferimit të “kuqezinjtë” e kryeqytetit, Maxhuni karrierë ka bërë edhe te Drenica, Flamurtari i Vlorës, Trepça ’89, Ferizaj dhe Prishtina. Sa ishte pjesë e Prishtinës, Maxhuni e fitoi Kupën e Kosovës si dhe arriti të paraqitet në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Evropës.
