Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollisti i harruar, Ramsey, më në fund ka dalë në skenë te Juventusi

Torino, 14 janar (Reuters) – Aaron Ramsey u përpoq të imponohej te Juventusi pas transferimit të tij përrallor te kampioni i Italisë nga Arsenali, si lojtar i lirë, në verën e vitit 2019. Mirëpo uellsiani vetëm këtë edicion ka filluar ta dëshmojë veten në Itali derisa Juventusi po e vazhdon marshimin për kreun e renditjes në Serie A, me synim për ta fituar titullin e dhjetë rresht.

Ramsey u bashkua me Juventusin pas një largimi të përlotur nga Arsenali, pas një dekade në klubin verior të Londrës. Ai u dëshmua si një hero i Juventusit në një moment të vështirë, kur me golin e tij i dha epërsinë 2:1 ekipit të Andrea Pirlos, në minutën e 82-të në ndeshjen e fundit kampionale kundër Sassuolos. Fitorja me rezultatin 3:1 e mbajti Juventusin shtatë pikë prapa Milanit, që është lider dhe ka një ndeshje më shumë të luajtur. Juve ka katër pikë më pak se Interi që është i dyti, e me të cilin do të përballet të dielën mbrëma.

Ramsey po kalon moment të mirë në ndeshjet e fundit, në të cilat Juventusi regjistroi katër fitore në pesë takime kampionale, përfshirë edhe atë ndaj Milanit (3:1), të cilit ia shkaktoi humbjen e parë këtë sezon. Ramsey është treguar thelbësor në ringjalljen e Juventusit dhe është njëri prej lojtarëve që më në fund ka gjetur formën e tij në javët e fundit. Paulo Dybala dhe Federico Chiesa gjithashtu kanë lënë përshtypje, por Ramsey është ai që ka rënë në sy të trajnerit Pirlo.

“Ramsey ka qenë si një zbulim për mua”, pranoi Pirlo. “Nuk kisha idenë se ai ishte një lojtar kaq i mirë dhe i zgjuar. Për fat të keq ne e kemi pasur atë të gatshëm 100 për qind vetëm në disa raste. Shpresoj që tash e tutje ta kem gjithnjë në dispozicion për shkak se Ramsey është një lojtar i rëndësishëm për mua dhe këtë klub”.

Lëndimet e shpeshta “goditën” magjinë e Ramseyt tek Arsenali në Premier League. Edicioni i tij i parë në Juventus – 2019/20 – nuk ishte ndryshe për shkak se ai ishte titullar në vetëm 11 ndeshje kampionale. Këtë sezon, Ramsey pothuajse rregullisht është në përbërjen e parë të Juventusit, por në pesë ndeshjet e fundit mesfushori uellsian është rritur me të vërtetë. E vetmja ndeshje në të cilën Ramsey nuk u paraqit për më shumë se një orë ishte humbja e Juventusit, 3:0 ndaj Fiorentinas, që ishte edhe dueli i fundit i vitit të shkuar. Ramsey ka bërë dy asistime në tri ndeshjet e fundit dhe shënimi i golit të parë në këtë sezon ndaj Sassuolos do ta ndihmojë edhe më shumë për t’u stabilizuar te skuadra italiane.

“Po ndiej se jam në formë të mirë dhe shpresoj që të mos lëndohem sikurse sezonin e shkuar, në të cilin nuk arriti të shfaq potencialin tim. Këtë edicion dua ta ndihmoj ekipin të fitojë titullin e kampionit dhe të dëshmoj se për çka kam ardhur te një skuadër me ambicie të mëdha si Juventusi”, theksoi Ramsey.

Edhe Juventusi shkëput kontratën me Ramseyn Sport Juventusi shkëput kontratën me Ramseyn

Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë këtë sezon për Juventusin, por ndeshja në udhëtim kundër Interit është vendimtare si për ekipin ashtu edhe për Pirlon, i cili po e shijon edicionin e tij të parë si trajner. Te Juventusi nuk po e paramendojnë humbjen nga Interi pasi mund të ngecnin dhjetë pikë prapa Milanit, që do të përballet me Cagliarin. Ramsey beson se forma e mirë e ekipit në ndeshjet e fundit do të dalë në pah edhe ndaj Interit.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme, të cilën patjetër se duhet ta fitojmë”, tha Ramsey.

Golat e Cristiano Ronaldos do të jenë vendimtar për Juventusin në këtë derbi, por lojtarët e tjerë do të duhet të futen në lojë për ta ndihmuar portugezin. Dhe, Ramsey, i aftë për të asistuar dhe shënuar, mund të ketë një ndikim të madh te Juventusi, duke pasur parasysh formën e tij të mirë.